Hartoi planin për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, vdes Martti Ahtisaari

Nga A2 CNN
16 Tetor 2023, 08:31 | Aktualitet
Hartoi planin për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës,

Marti Ahtisaari, hartuesi i planit mbi bazë të së cilit u shpall pavarësia e Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008, vdiq në moshën 86-vjeçare në Helsinki.

President i Finlandës nga viti 1994 deri në 2000-shin, Ahtisaari shërbeu si i dërguari i posaçëm i OKB-së, për organizimin e negociatave të procesit mbi statusin e Kosovës. Më 2 shkurt të vitit 2007, Ahtisaari dorëzoi në Prishtinë dhe Beograd një dokument që pavarësisht paqartësive të shumta vendosi konturet e shtetit të Kosovës.

Ndonëse fjala “pavarësi” nuk përmendej në draft-dokumentin në fjalë, udhëheqësit kosovarë të cilët e mbështetën atë, patën shprehur bindjen se “procesi ndërkombëtar për zgjidhjen e statusit të Kosovës i udhëhequr nga presidenti Ahtisaari do të përfundonte shpejt me pavarësinë e Kosovës”.

Ahtisaari u shpërblye me Çmimin Nobel për Paqe më 2008 për shkak të kontributit të tij për dhënien fund të konflikteve edhe në Indonezi, Namibi apo Irlandën Veriore. Ai refuzoi të pranonte se luftërat dhe konfliktet ishin të pashmangshme.

“Paqja është çështje e vullnetit. Të gjitha konfliktet mund të zgjidhen dhe nuk ka asnjë justifikim që t’i lejojmë që ato të bëhen të përjetshme”, kishte deklaruar Ahtisaari gjatë pranimit të Nobelit në 2008. Ahtisaari ishte tërhequr nga jeta publike dhe politike në 2021, pasi u diagnostikua me sëmundjen e Alzajmerit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos