“Rënia e lirë” e eksporteve shqiptare si pasojë e zhvlerësimit të euros vijoi edhe në shtator, për të tetin muaj me radhë.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se muajin e shkuar kompanitë shqiptare çuan jashtë mallra në vlerën e vetëm 33.6 miliardë lekëve nga më shumë se 38 miliardë shtatorin e një viti më parë. Humbja përllogaritet në 5.1 miliardë lekë apo rreth 48 milionë euro.
Tkurrja që përfshiu thuajse të gjitha kategoritë e mallrave, u bë me e dukshme se kurrë muajin e shkuar te eksportet e mineraleve dhe industria e veshjeve dhe këpucëve, ndjekur nga ushqimet e pijet dhe produktet kimike e plastike.
“Kjo nuk është surprizë. Është një shqetësim i ngritur prej muajsh nga shoqatat eksportuese. Mbiçmimi i monedhës kombëtare, lekut i bën mallrat tanë më pak konkurrues. Kjo ecuri rënëse e eksporteve të mallrave do të vijojë së paku edhe deri në mesin e vitit të ardhshëm”, tha Eugen Musta, pedagog ekonomie.
E njëjta ecuri ka përfshirë edhe kahun tjetër, atë të importeve. Pavarësisht shtimit të konsumit si pasojë e turistëve, por edhe rënien së inflacionit në eurozonë, importet e mallrave në shtator u tkurrën me 14.6 miliardë lekë. Në vend hynë më pak karburante, materiale ndërtimi, ushqime dhe lëndë e parë për fasonët dhe industrinë kimike e plastike gjatë muajit të shkuar.
“Dhe ajo më paradoksalja është se me gjithë rënie e çmimit, mallrat e importit vijojnë të tregtohen më shtrenjtë në vend duke thyer çdo rregull të ekonomisë së tregut”, u shpreh Musta.
Rënia më e fortë e eksporteve muajin e shkuar, bëri që bilanci i tregtisë së jashtme, pra raporti mes asaj çka shitëm dhe blemë me jashtë të mbyllej në një deficit prej 39.7 miliardë lekësh. (A2 Televizion)
