I pari president francez, Macron në Tiranë: Korrigjim i një gabimi, riangazhohemi në Shqipëri

Nga A2 CNN
17 Tetor 2023, 15:26 | Politikë
I pari president francez, Macron në Tiranë: Korrigjim i një

Emmanuel Macron shkruajti historinë në marrëdhënie me Shqipërinë, duke shënuar vizitën e parë zyrtare për një President francez në vendin tonë. Simbolikën e pranisë së tij në Tiranë, kreu i Elizesë e konsideron ndreqjen e një gabimi, që i jep fund qasjes shpërfillëse të Parisit në raport jo vetëm me shqiptarët.

Po thoja që të jem në krahun tuaj sot do të thotë që të shënoj një formë riangazhimi të Francës në vendin tuaj dhe në rajon sepse ishte një gabim i thellë që prej vitit 1912 dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, nuk kishte ardhur asnjë President i Republikës Franceze, jo vetëm t’ju vizitonte, por që të bënit një copë rruge bashkë. Kjo vizitë zyrtare ishte një formë riparimi, një formë rregullimi i gabimit.

Jam shumë i lumtur që pas një pritjeje të paktën shekullore, në Shqipëri vjen për një vizitë bilaterale shefi i shtetit francez. Fakti historik i kësaj dite është prania e tij, duke shtjelluar sesa shumë ne e kemi dëshiruar dhe e dëshirojmë Europën dhe se sa shumë Evropa në mendjen tonë është e lidhur me emrin e Francës dhe sa shumë emri i Francës është i lidhur  me Europën për 1001 arsye.

Krah kryeministrit Rama, në konferencë për shtyp, pranoi se ishte ai njeriu që për vite me radhë frenoi integrimin e Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Tani, Presidenti Macron mendon se ka ardhur koha të ribashkojë Europën, por pa nxituar me integrimin e rajonit tonë.

Jemi në një moment ku duhet t’iu japim juve dhe gjithë rajonit një vizibilitet historik. Po, ne e shënojmë këtë rrugë me anë të një investimi politik, gjë që dëshironim me anë të një Komuniteti Politik Europian. Më tepër synojmë një bashkim mes të ngjashmish ku ne të flasim në mënyrë të respektueshme për çështjet që kemi të përbashkëta, mbrojtja, emigracioni, energjia gjeopolitike. Unë e them nga Franca, ky ribashkim europian është i mirë për ne sepse kush mund të flasë për Europën si fuqi nëse ne lëmë në mes të Europës vende që ndikohen nga fuqi që duan thjesht shkatërrimin e Europës? Unë kam qenë gjithmonë i sinqertë për këtë mekanikë dhe e dua më politike sesa teknike, e dua më dashurore se sa burokratike sepse kjo është jeta e popujve.

Në krah të Macron, Edi Rama hoqi dorë nga datat por kërkoi nga Franca dhe BE që të mos e lërë Shqipërinë dhe rajonin në agoni.

Në këndvështrimin tim dhe fatmirësisht në këndvështrimin e Presidentit duhet të vazhdojë pabazuar në meritën e çdo vendi, por nuk duhet lënë që të bëhet një arsye për ankth dhe pasiguri në raport me të ardhmen europiane të vendeve tona. Shqipërisë nuk i intereson një datë, e para sepse çdo datë që mund të vendoset nga kushdo qoftë, do të mbetet një tjetër takim i parealizuar për mënyrën si funksionon.

Presidenti francez e ka cilësuar BE para 2018 si një mekanizëm hipokrit dhe të ftohtë, por edhe sot ai mendon që ka ende punë për të bërë për të reformuar Unionin.

Ne qe jemi në BE vetë duhet të bëjmë reforma sepse nuk është e vërtetë që mund të zgjerohemi pa fund me mënyrat aktuale të funksionimit, sepse Europa nuk funksionon gjithmonë në mënyrë optimale. Data nuk ka kuptim, që të flasim për datë. Është një rrugë që nuk duhet bërë shumë shpejt nëse nuk thuhet e vërteta dhe nëse nuk ndahet nga popujt.BE nuk ka hegjemoni, çdo votë vendos. Pastaj mund të vendosim që të votojmë me shumicë të cilësuar, mund të bëhen aleanca, por secili respektohet si i barabartë.

Qasja e re në bashkëpunimin Shqipëri-France, u zyrtarizua me firmosjen e disa marrëveshjeve, në fusha të ndryshme, nga energjia, duke kaluar te siguria dhe arti, ndërsa Tirana zyrtare reagoi menjëherë duke u dhënë dy ambiente agjencive franceze, te Piramida dhe Vila 31. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos