Ndryshon buxheti, do të rishpërndahen 46 miliardë lekë. Nuk ka paketa ndihme për qytetarët

Nga A2 CNN
19 Tetor 2023, 11:37 | Ekonomi
Ndryshon buxheti, do të rishpërndahen 46 miliardë lekë. Nuk

“Sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kemi miratuar aktin normativ për ndryshimet e buxhetit të vitit 2023. Ky akt normativ, nisur dhe nga performanca e mirë e të ardhurave, parashikon rritje të të ardhurave me 7,5 miliardë lekë”. Kështu u shpreh Ervin Mete, ministër i Financave dhe Ekonomisë.

Deri në fund të vitit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë parashikon të grumbullojë 544,5 miliardë lekë nga 537 miliardë që kishte planifikuar. Si pasojë e arkëtimit të më shumë parave edhe se në parashikimet më optimiste, do të rishpërndahen për herë të parë këtë vit 46 miliardë lekë apo rreth 435 milionë euro. 

Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë, deklaroi: “Realisht do të duhej të kishim një analizë paraprake për monitorimin një herë se si kanë ecur projektet e ndryshme, për të parë më pas nëse ky rialokim ka qenë i duhuri apo është kthyer në pengesë për ato që njihen si politika sociale”.

Rreth 12 miliardë do të shkojnë për procesin e rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019 dhe 1,8 miliardë për naftën falas në bujqësi. Pjesa tjetër do të shkojë për investime dhe për të shlyer detyrimet ndaj ish-të përndjekurve politikë.

“Janë projekte që duhet me patjetër t’u vihet në ndihmë me buxhet, pasi ndryshe do të ngelen rrugëve, ashtu siç kryeministri ka thënë”, deklaroi Gjokutaj.

Për ekspertët, rishpërndarja e fondeve do të duhej të ishte e drejtuar pikërisht te politikat sociale: “Kriza e çmimeve vijon. Duhet të kishim paketa fiskale për të gjitha shtresat sociale dhe familjet e reja. Pra, këtu duhej të ishin të fokusuara fondet”.

Të dhënat nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë tregojnë se nga janari në gusht u arkëtuan 425,3 miliardë lekë, gati 49 miliardë lekë më tepër se në po të njëjtin hark kohor të një viti më parë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos