Qindra palestinezë besohet të kenë vdekur si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një spital të qytetit të Gazës, në një prej masakrave më të rënda të luftës, që rrezikon të ndezë edhe më shumë konfliktin.
Grupi militant i Hamasit, akuzoi menjëherë Izraelin se kishte goditur me raketë spitalin Al-Ahli duke shkaktuar mes 200 deri 500 viktima. Por Tel Avivi mohon përgjegjësinë dhe pretendon se shpërthimi u shkaktua gabimisht, nga raketa të lëshuara nga grupi palestinez, Xhihadi Islamik.
“Mund të konfirmoj se të dhëna e sistemeve operacionale të forcave tona të mbrojtjes, sugjerojnë se një breshëri raketash u lëshua nga terroristët në Gaza, duke kaluar në afërsi të spitalit Al-Ahli në momentin që ai u godit. Burime të inteligjencës tregojnë se Xhihadi Islamik është përgjegjës”, u shpreh zëdhënësi i ushtrisë Daniel Hagari.
Sulmi në spital ka nxitur reagimin e ashpër të botës arabe duke çuar në anulimin e një takimi mes presidentit amerikan Joe Biden që qëndron sot në Izrael, mbretit Abdullah të Jordanisë, liderit egjiptian Abdul Fattah al-Sisi dhe presidentit palestinez Mahmud Abas.
Ky i fundit e cilësoi ngjarjen një tragjedi dhe masakër të shëmtuar lufte që nuk mund të tolerohet. Sakaq, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, kërkoi armëpushim të menjëherëshëm për qëllime humanitare, të një konflikti që siç tha, po godet civilët me pasoja të rënda.
Më herët, një raketë goditi edhe një shkollë ku po strehoheshin rreth 4 mijë persona në Rripin e Gazës, me pasojë vdekjen e disa civilëve.
Hamasi akuzoi Shtetet e Bashkuara, që siç thotë, mbajnë përgjegjësi për masakrën në spital, për mbështetjen që po i ofrojnë Izraelit. Sipas Hamasit, mbi 3200 palestinezë kanë humbur jetën që prej shpërthimit të luftës, ndërsa të paktën 600 mijë vetë janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre. (A2 Televizion)
                                          
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   