3.11% në ankandin e fundit, mbajtja e pandryshuar e interesave po reflektohet te titujt qeveritarë

Nga A2 CNN
19 Tetor 2023, 13:47 | Ekonomi
3.11% në ankandin e fundit, mbajtja e pandryshuar e interesave po

Investimi në tituj qeveritarë po vijon të mbajë zgjuar interesin e veçanërisht sipërmarrësve shqiptarë, pavarësisht rënies së normave të interesit.

Në ankandin e së martës, ndonëse qeveria kishte kërkuar 10 miliardë lekë, investitorët ofruan plot 13,4 miliardë lekë në bono thesari 12-mujore. Ndërkohë, normat e interesit ra në 3.11 për qind nga 3.15 për qind në ankandin e mëparshëm.

Vitin e shkuar, qeveria ndërmori një fushatë duke ftuar qytetarët dhe sipërmarrjet të investonin në tituj me vlerë. Kjo u shoqërua edhe nga normat e kënaqshme të interesit, të cilat në janari ishin mbi 5 për qind për të rënë në rreth 4 për qind në shkurt dhe mars.

Krahasuar me fillimin e vitit, normat e interesit për bonot e thesarit 12-mujore kanë rënë me gati 2.2 pikë përqindje. Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se në harkun e muajve janar-shtator qeveria mori hua 267.7 miliardë lekë nga 193.9 miliardë lekë në po të njëjtin hark kohor të një viti më parë.

Ndërkohë, rënia e normave të interesit të bonove të thesarit, një ndër përcaktuesit direkt të kësteve të kredive në lekë mund të jetë një lajm i mirë për kredimarrësit shqiptarë të cilët do të nxjerrin ca para më pak nga xhepat. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos