Prej më shumë se një viti Komisioni i Reformës Zgjedhore zgjat më kot afatin kohor, pa mbledhje apo produkt konkret. Ky realitet duket se ka detyruar ndërkombëtarët dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të ulin në një tryezë palët politike.
Në një takim ku të ftuar ishin dhe partitë jashtëparlamentare bashkë me shoqërinë civile, ndërkombëtarët kërkuan prej tyre gjetjen e konsensusit, për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që do të garantonte votimin e emigrantëve në vitin 2025.
“Çdo lloj vendimi qoftë në boshllëqe legjistative apo çështje politike, të vijë nga një konsensus gjithëpërfshirës dhe gjithashtu duhet dhe një vlerësim i hollësishëm dhe me konsultim gjithëpërfshirës si me aktorët politikë dhe me shoqërinë civile”.
“Ne besojmë se ka një rëndësi tejet të madhe që procesi të jetë i gjerë për sa i përket konsultimit dhe të kërkohet konsensusi të gjithë aktorëve të përfshirë. Dëshiroj të nxisë të gjitha palët që të vënë në zbatim të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese”.
Mesazhet në anglisht nënvizuan fjalën konsensus, por mazhoranca dhe dy grupimet e opozitës duket se kanë ide të ndryshme për mënyrën si mund të realizohet vota e diasporës.
“Personalisht jam për sistemin me postë se sa sistemi elektronik nga jashtë se është gjithmonë shumë i diskutueshëm dhe do dojë kohë që të implemetohet”.
“Aplikimi i teknologjisë së informacioni është një mënyrë e mirë. Së pari për të informuar, së dyti për të krijuar akses të lehtë dhe së treti edhe për të votuar”.
“Duhet të votojnë të gjithë përfshirë ata që nuk kanë mundësi që të regjistrojnë një vendbanim të tyre. Pasi për shumë arsye kanë ikur dhe nuk i japin mundësi të regjistrohen”.
Maxhoranca dhe opozita bashkohen te mënyra e llogaritjes së votës, duke rrëzuar idenë e një qarku të 13, që do t’i jepte diasporës një kuotë të caktuar deputetësh në Kuvend.
“Nëse do të krijojmë një zonë elektorale të veçantë, mund të krijojmë disproporcion të votës, pabarazi të votës. Unë mendoj që siç jemi sot ta llogarisim votën në qarqet respektive aty ku qytetarët e kanë pasur banimin”.
“Vota e tyre duhet të ketë peshë të barabartë. Nuk mundet ta fraksionojmë duke i grumbulluar këta miliona zgjedhës në një zonë të vetme, duhet ta kenë të drejtë në qarkun nga ata vinë”.
Edhe në këtë tryezë u shfaqën problemet e brendshme të demokratëve, teksa Enkelejd Alibeaj nuk lejoi Jorida Tabakun të merrte fjalën para tij. Të pakënaqur mbetën partitë jashtë parlamentare dhe shoqëria civile. Revolta e tyre u shpreh edhe publikisht duke u larguar kur kuptuan se për të marrë fjalën duhej të prisnin në radhë partitë e mëdha. (A2 Televizion)