Lajçaku kërkon asociacionin, Kurti pranon planin e pesëshes euro-amerikane: Të dënohet Serbia

Nga A2 CNN
21 Tetor 2023, 12:52 | Kosova
Lajçaku kërkon asociacionin, Kurti pranon planin e pesëshes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pranoi planin e pesëshes së madhe euro-amerikane për ecur përpara për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit. “Kryeministri theksoi që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re.

Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij”, thuhet në një deklaratë pas bisedës së Kurtit me përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, zëvendës ndihmës sekretarin e SHBA-së, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e liderëve shtetërorë të Gjermanisë, Francës e Italisë.

Kurti shton se prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Kosovën është siguria e shtetit, qytetarëve, kufijve dhe e territorit. “Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje”, thekson kryeministria.

Lajçak ishte i vetmi që foli pas takimit duke theksuar rëndësinë e rinisjes së negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit, pasi sipas tij “pa dialog, mund të ketë përsëritje të sulmeve të armatosura”.

Zyrtarët euro-amerikanë do ta vizitojnë edhe Serbinë gjatë ditës, ndërsa bënë thirrje për formimin pa vonesa të asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos