“Sulmi paraushtarak dhe terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit u krye nga Klani i Novi Sadit, i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç”.
Janë fjalët e kryeministrit Albin Kurti, i cili gjatë një postimi në rrjetin social Facebook, e përkufizoi Presidentin Aleksandër Vuçiç si “Capo di tutti i capi”, term i përdorur për të identifikuar bosët e fuqishëm të mafias: “Para dy dekadave, në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tani vendin e tij e ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe, kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiç, porsi një capo di tutti i capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin”.
Sipas Kurtit, 40 pelegrinë ortodoksë nga Novi Sadi gjendeshin në manastirin e Banjskës, ku ishin fshehur agresorët më 24 shtator. “Ndoshta e rastësishme, por hetimet duhet ta tregojnë”, shkruan kryeministri.
Ai shton më tej se grupi terrorist në arrati, i udhëhequr nga Millan Radoiçiç, po qëndron në Rashkë ku, siç thotë, janë pajisur me automjete nga autoritetet serbe.
“Kosova nuk ka juridiksion në Serbi. A nuk do të duhej që BE-ja dhe SHBA-ja ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar”, tha Kurti.
Kosova dhe Serbia kanë nisur hetime paralele për ngjarjet në Banjskë, ndërkohë që Bashkimi Europian i ka bërë thirrje Beogradit të bashkëpunojë plotësisht për këtë çështje. (A2 Televizion)