Sot në gjykatë Malltezi e Bektashi, Berisha ende pa datë

Nga A2 CNN
23 Tetor 2023, 08:56 | Politikë
Sot në gjykatë Malltezi e Bektashi, Berisha ende pa datë

Më shumë se 5,4 milionë euro ka përfituar Jamarbër Malltezi nga privatizimi i ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në kohën kur kryeministër ishte Sali Berisha. Prokuroria e Posaçme zbardhi akuzat konkrete që rëndojnë ndaj ish-kryeministrit dhe dhëndrit të tij. 

Përmes një njoftimi për mediat, SPAK sqaron se Berisha akuzohet për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Malltezin. Sipas SPAK, në kohën kur Berisha ka qenë kryeministër, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij. 

Në argumentimet e tij, SPAK thotë se në këtë kohë janë kryer veprime aktive me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete për mbylljen e procedurave të privatizimit në favor edhe të Jamarbër Malltezit.

Malltezi, sipas Prokurorisë së Posaçme, në cilësinë e investitorit në shoqërinë private ndërtuese, pa investuar tek ajo dhe para se të deklarohej si bashkortak, dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme mbi 5,4 milionë euro. Në bashkëpunim dhe me Fatmir Bektashin, Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të pastrimit të parave duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar duke kryer veprime financiare, transaksione edhe në kesh, për të fshehur origjinën dhe për të marrë përfitimin monetar të paligjshëm.

Mbrëmjen e së shtunës, ai u arrestua nga agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ndërsa mbi ish-kryeministrin Berisha, veç detyrimit për t’u paraqitur, ka dhe një masë tjetër sigurimi për të mos dalë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Mbi ndërtuesin Bektashi rëndon akuza e korrupsionit aktiv të zyrtarëve dhe ajo e pastrimit të parave, ndërsa ka marrë si masë sigurimi detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos