
Gjykata e Posaçme rrëzon kërkesat paraprake të Fredi Belerit dhe Pandeli Kokaveshit për shpalljen e pavlefshme të akteve hetimore. GJKKO vlerësoi se kjo kërkesë ishte e pabazuar në ligj. Pas këtij vendimi, avokatët e Belerit kërkuan përjashtimin e trupës gjykuese.
Në vijim, gjykata çeli procesin gjyqësor dhe ftoi prokurorinë të lexojë kërkesën për gjykim. Sipas SPAK, hetimi ndaj Belerit nisi pas një informacioni të Policisë së Vlorës. Më pas, Arsen Rama pranoi të bashkëpunojë me oficerët e Policisë Gjyqësorë për kryerjen e veprimeve të simuluara dhe përgjimet audio e video.
Në një nga takimet me Alfred Belerin, Ramës i është premtuar nga 50 euro për çdo votë të sigurt dhe 300 euro për atë vetë. Të nesërmen, pasi ka dërguar një listë me 8 persona, Arsen Rama, ka marrë nga Pandeli Kokaveshi një shumë prej 4 mijë lekësh të rinj.
Seanca e radhës ndaj Belerit është në 7 nëntor, ku do të thirren 8 dëshmitarët e parë të prokurorisë. (A2 Televizion)