Ende nuk po trokasin në derë, minoritarët dhe emigrantët duan shtyrje të censit përtej 15 nëntorit

Nga A2 CNN
26 Tetor 2023, 14:51 | Aktualitet
Ende nuk po trokasin në derë, minoritarët dhe emigrantët

Regjistrimi i popullsisë dhe banesave nuk po shkon siç është parashikuar dhe periferia e Tiranës e shfaq edhe më shumë problematikën me anketues që ende nuk ju kanë trokitur në derë qytetarëve.

“Te shtëpia ime ende nuk ka ardhur. Unë jetoj në Paskuqan, por duhet të vijnë patjetër se është proces që duhet”, thotë një qytetare.

Për shkak të zonave ende të paregjistruara, vet INSTAT njoftoi dhe shtyrjen e këtij procesi me 2 javë. Por në bashkinë minoritare të Pustecit, Partia Maqedonase për Integrim Europian kërkon një shtyrje më te gjatë se mesi i muajit që vjen.

Shtyrja e procesit është kërkuar edhe në bashki të tjera. Drejtoresha e Shoqatës për Autonomi Vendore, Adelina Farrici tregon se kanë qenë emigrantët ata që kanë kërkuar.

“Informacionet e fundit ka shumë bashki deri në përfundim të procesit që do e mbyllin brenda afatit mund të ketë dhe zona të tilla që nuk ka përfunduar dhe një nga opsionet e zgjatjes është dhe kthimi i emigrantëve për t’i lënë afatin edhe kësaj pjese për tu regjistruar”, thotë Adelina Farrici, shoqata për autonominë vendore.

Por përtej afatit, burime për A2 bëjnë të ditur se problemet konsistojnë edhe në mungesën e internetit në zonat e thella, mungesën e anketuesve, regjistrimin pjesërisht të pyetjeve, por dhe mungesën e njohurive për përdorimin e programit duke i regjistruar kështu të dhënat e qytetarëve në fleta. Këtë e konfirmojnë edhe vet qytetarët.

INSTAT e pyetur nga A2 për mungesën e anketuesve, konfirmon largimin e tyre gjatë procesit të punës për arsye personale, për të cilat thuhet se janë zëvendësuar me të tjerë individë.

“Është një proces kompleks që ka patjetër problematika një ndër to është territori shumë i shpërndarë por nga informacionet që kemi janë gjetur anketues të zonave që i njohin”, thotë Farrici.

Farrici bën të ditur se kostoja shtesë për shtyrjen e këtij procesit është miratuar edhe nga donatorët duke u përfshirë kështu në buxhetin e akorduar prej 17 milionë euro. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos