21 ditë luftime, çfarë ka ndodhur sot?

Nga A2 CNN
16 Mars 2022, 22:47 | Bota

Kjo është një përmbledhje e zhvillimeve kryesore më të fundit në ditën e 21-të të pushtimit rus ndaj Ukrainës. (A2 Televizion)

  • Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelensky, i ka bërë thirrje zyrtarëve të lartë rusë dhe figurave mediatike të Rusisë që të japin dorëheqjen nga pozicionet e tyre dhe të mbajnë qëndrim për pushtimin rus të Ukrainës.
  • Të burgosurit rusë të luftës kanë shprehur pendesë për krimet e kryera në Ukrainë dhe i kanë bërë thirrje presidentit rus që të ndalojë aktet terroriste në Ukrainë.
  • Kryeministrat e Polonisë, Sllovenisë dhe Republikës Çeke u takuan me presidentin Volodimir Zelensky mbrëmjen e së martës, teksa në qytet kishte nisur shtetrrethimi.
  • Një këshilltar i Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë për mediat lokale se propozimi i Rusisë që Ukrainë të ketë një neutralitet “të modelit austriak” është i papranueshëm për vendin.
  • Presidenti ukrainas i kërkoi ligjvënësve amerikanë, në një fjalim virtual në Kongres, që të kujtonin sulmin në Pearl Harbor gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe sulmin mbi Kullat Binjake, në vitin 2001, duke i bërë thirrje SHBA-së që të bënte më shumë.
  • Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se një takim mes Presidentit Putin dhe homologut Zelensky mund të ndodhë vetëm për të nënshkruar një marrëveshje specifike.
  • Papa Françesku foli për frikën e një lufte bërthamore duke paralajmëruar se një fatkeqësi e tillë mund të shuante gjithçka në tokë.
  • Në një intervistë për mediat ruse, presidenti Putin përsëriti qëndrimin se qëllimi i Rusisë në Ukrainë nuk është ta pushtojë atë, duke renditur arsyet e çmilitarizimit, neutralitetit dhe denazifikimit të saj.
  • Një tjetër lajm i rëndë vjen nga lufta në Ukrainë, ku forcat ruse raportohet të kenë bombarduar një teatër në qendër të Mariupolit, ku kishin gjetur strehim qindra civilë.
  • Ndërsa ritheksoi pozicionimin e SHBA-ve kundër vendosjes së zonës së ndalimit të fluturimeve mbi Ukrainë, Biden deklaroi këtë të mërkurë se Amerika do t’i japë 1 miliard dollarë Ukrainës përmes paketës së re të armëve me rreze të gjatë veprime dhe dronëve.
  • Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden e ka quajtur për herë të parë homologun rus, Vladimir Putin një kriminel lufte, një frazë të cilën administrata ishte shmangur disa herë ta përdorte edhe pse ishte pyetur drejtpërdrejt nga gazetarët.
  • Kremlini ka reaguar menjëherë pas deklaratës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i cili e quajti për herë të parë homologun rus, Vladimir Putin një kriminel lufte. Sipas Kremlinit zyrtar, deklarata të tilla në drejtim të Putin janë të papranueshme dhe të pafalshme.

A2 CNN Livestream

Latest Videos