232 të larguar nga shtëpitë në 1 vit, mes tyre 81 fëmijë

Nga A2 CNN
26 Dhjetor 2018, 20:28 | Kronikë
232 të larguar nga shtëpitë në 1 vit, mes tyre 81

Vetëm përgjatë një viti, 232 persona janë larguar me dëshirë nga shtëpitë e tyre, ndërsa për policinë është dashur 24 deri në 48 orë për ti gjetur.

Ndonëse në më të shumtën e rasteve personat rikthehen pranë familjeve të tyre, ajo çka mbetet shqetësues është fakti se ai po gjen zgjerim te të miturit.

Nga janari e deri më sot nga banesa janë larguar 82 fëmijë. Sipas statistikave të nxjerra nga komunikatat zyrtare të policisë numri është mjaft i lartë dhe pothuajse në të gjitha kallëzimet e bëra nga prindërit, ata nuk kanë dijeni se pse të vegjlit e tyre largohen.

Ikja nga shtëpitë prek thuajse të gjithë qytetet e Shqipërisë. Sipas shifrave zyrtare, fëmijët janë të moshave 17 deri në 12 vjeç, ndërsa numri më i lartë i largimeve raportohet në Tiranë dhe Elbasan, por edhe qytetet kryesore të mëdha.

Vetëm përgjatë 1 jave në kryeqytet nga shtëpitë u larguan dy binjake për t’u gjetur dy ditë më pas nga forcat e policisë në zonën e Kamzës teksa bënin xhiro me biçikletat e bashkisë. Po nga e njëjta zonë ajo e Kodrës së Priftit u largua dhe motra 16-vjeçare, e cila për të takuar mikun e saj mori me vete dhe vëllain 7-vjeçar.

Kjo vuri në alarm prindërit që lajmëruan forcat e policisë. Të miturit u gjetën pas 24 orësh. Pas marrjes në pyetje edhe në prani të psikologëve si binjaket 13-vjecare, por edhe motër e vëlla thanë se u larguan me dëshirë. Për këtë, policia nuk pranoi të prononcohej, por sipas saj, në të gjitha rastet fëmijët janë gjetur dhe rikthyer pranë familjeve të tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos