24-vjetori i çlirimit, Kosova falënderon kontribuesit e lirisë dhe shtetndërtimit

Nga A2 CNN
12 Qershor 2023, 15:51 | Kosova
24-vjetori i çlirimit, Kosova falënderon kontribuesit e lirisë

Në 24-vjetorin e çlirimit, kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas fushatës së bombardimeve ajrore kundër caqeve ushtarake e policore serbe, krerët e shtetit shprehin mirënjohjen për kontribuesit e lirisë. Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, vendosën kurora me lule dhe nderuan figurat politike aktivistët dhe ushtarët e rënë të NATO-s në Kosovë.

Vjosa Osmani “Jemi mirënjohës dhe e përsërisim këtë mirënjohje në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës për vizionarët e shtetit, për presidentin Ibrahim Rugova, gjithë aktivistët që dhanë gjithçka që të vendosen këto themele; për komandantin legjendar Adem Jashari dhe të gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që dhanë jetën e tyre për lirinë tonë; si dhe mirënjohje të përjetshme për të gjithë miqtë tanë, të cilët na ndihmuan që lirinë, pavarësinë dhe demokracinë ta kemi realitet”, u shpreh presidentja Osmani.

“Kjo nuk do të mund të arrihej pa miqtë e çmuar ndërkombëtarë, pa shtetet që e ndihmuan çlirimin e Kosovës, por kjo ndodhi edhe pikërisht pse kauza jonë ishte shumë e drejtë. Ne krejt çfarë pokërkonim ishte ta hiqnim okupimin shekullor serb në Kosovë”, deklaroi Konjufca.

Për të shënuar 24 vjetorin e çlirimit, Orkestra Frymore e Forcës së Sigurisë së Kosovës parakaloi dhe  performoi në sheshet e Prishtinës, edhe pse e ndjekur nga jo shumë spektatorë për shkak të motit të keq.

Fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova. Në luftën e viteve 1998-'99 janë vrarë më shumë se 13.000 persona dhe janë zhdukur më shumëse 6.000 vetë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos