25 vjet shkolla e Magjistraturës, Begaj: Mision strategjik, duhen magjistratë profesionistë

Nga A2 CNN
3 Tetor 2022, 10:36 | Politikë
25 vjet shkolla e Magjistraturës, Begaj: Mision strategjik, duhen

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ishte i ftuar në ceremoninë për 25-vjetorin e krijimit të shkollës së Magjistraturës, ku mbajti dhe një fjalim përshëndetës.

Për kreun e shtetit, kjo shkollë ka një mision strategjik për formimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në një kohë kur sistemi i drejtësisë ka nevojë për magjistratë të rinj, pas vakancave të krijuara nga vetting-u.

“Nga ana tjetër, Shkolla e Magjistraturës duhet të luajë një rol më aktiv dhe të përfitojë sa më shumë të jetë e mundur nga bashkëpunimi me partnerët, donatorët, strukturat dhe rrjetet homologe Evropiane dhe Amerikane.

Botimet dhe kërkimi shkencor të vijojnë të mbështeten e të jenë një instrument ndihmës në funksion të përmirësimit të punës dhe përmbushjes së përgjegjësive të gjithsecilit.

Me ndryshimet kushtetuese, Shkolla e Magjistraturës është përballë sfidave dhe përgjegjësive edhe më të mëdha.

Misioni strategjik i formimit profesional të gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve të shtetit, kancelarëve, ndihmësve dhe këshilltarëve ligjorë në programin e formimit fillestar apo atë të vazhduar, e vendos Shkollën e Magjistraturës në një pozicion shumë të rëndësishëm dhe kritik, duke qenë pragu i hyrjes së tyre në sistemin e drejtësisë”, tha Begaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos