28 seanca të dështuara, indiferenca e KLGJ zvarrit procesin "Shullazi"

Nga A2 CNN
6 Janar 2020, 12:44 | Kronikë
28 seanca të dështuara, indiferenca e KLGJ zvarrit procesin

Apeli i Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar numëroi seancën e 28-të radhazi të dështuar në procesin ndaj Emiliano Shullazit dhe katër të bashkëpandehurve të tij.

Shkak i shtyrjes u bë mungesa e përgjigjes nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për situatën e krijuar në këtë proces pas ngritjes së Gjykatës së Posaçme.

Dy nga anëtarët e trupit gjykues, Artur Malaj dhe Etleva Temo, janë deleguar në këtë gjykim nga gjykatat e Apelit të rretheve dhe si të tillë nuk gëzojnë statusin e gjyqtarit të Gjykatës së Posaçme.

Pas seancës së 23 dhjetorit, gjykata i kërkoi KLGJ-së të shprehej nëse do të vijohej gjyqi me gjyqtarët e deleguar, por deri në nisje të seancës të së hënës nuk kishte marrë asnjë përgjigje.

Mosreagimi i KLGJ zgjati me të paktën një seance zvarritjen e procesit “Shullazi” në Apel, gjykim që nga nisja e tij në janar 2019 ka shënuar vetëm seanca të dështuara. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos