Arrestohet një 49-vjeçar në Tiranë, i dënuar me 17 vjet burg për vrasje

Nga A2 CNN
5 Janar 2020, 16:26 | Kronikë
Arrestohet një 49-vjeçar në Tiranë, i dënuar me 17

Policia e kryeqytetit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Gjeneraliteti i rremë”, duke vënë në pranga shtetasin Kastriot Fejzo, 49 vjeç, lindur dhe banues në Ersekë, i cili është i dënuar me 17 vjet e 6 muaj e 24 ditë burgim për “vrasja me dashje, e kryer në bashkëpunim”.

Sipas policisë, në momentin e ndalimit ky shtetas, me qëllim për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, është prezantuar para shërbimeve të Policisë me gjeneralitetet e kushëririt të tij. Por pasi është shoqëruar në drejtori është kryer verifikimi i mëtejshëm i këtij shtetasi, i cili ka rezultuar se është shtetasi Kastriot Fejzo, 49 vjeç, i shpallur në kërkim. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kolonjë e ka dënuar këtë shtetas me 17 vjet e 6 muaj e 24 ditë burgim për veprën penale “Vrasja me dashje, e kryer në bashkëpunim”.

Gjatë kontrollit, këtij shtetasi i janë gjetur dhe 20 mijë dollarë amerikan dhe 2 milionë lekë, të dyshuara të përfituara në mënyrë jo të ligjshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos