
Dan Hutra, autori i vrasjes së tre grave dhe plagosjes së tre të tjerave u arrestua rreth orës 18:45 të së mërkurës.
Pas identifikimit të tij nga pyetja e të plagosurve, dëshmitarëve dhe pamjeve të kamerave të sigurisë, ai u lokalizua dhe u prangos në afërsi të landfillit të Sharrës. Me vete kishte edhe armën kallashnikov me të cilat mori tre jetë dhe rrezikoi tre të tjera.
Sipas Policisë së Shtetit, plagosja e Marjana Gurakuqit në Astir, vrasja e dyfishte në Bathore dhe vrasja e Etleva Kurtit në Kodër Kamëz janë kryer në një hark kohor prej 33 minutash.
Në komunikatën zyrtare për këtë krim që tronditi kryeqytetin, policia bën me dije se në orën 12 e 15, Dan Hutra, në rrugën “Teodor Keko”, në afërsi të mbikalimit te “Pallati me shigjeta”, plagosi me thikë shtetasen M. G., 40 vjeçe, banuese në Astir.
Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, autori u largua me automjetin tip “Benz” me targa AA 531 UK, të cilin e kishte marrë me qira dhe rreth orës 12:35 minuta ka shkuar në rrugën “Rustem Haklaj”, në Kodër-Kamzë, te banesa e ish-bashkëjetueses së tij.
Shtetasi Dan Hutra plagosi me armë zjarri shtetaset Elena Hysa, 35 vjeçe dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe dhe vrau shtetaset Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).
Pas kësaj ngjarjeje, autori ka lëvizur në drejtim të rrugës “Abdyl Elmazi”, në rrugën e Arbrit, ka vijuar në rrugën “Besëlidhja”, Bathore dhe rreth orës 12:48 minuta ka ndaluar te banesa e familjes Kurti, ku ka vrarë me armë zjarri shtetasen Etleva Kurti, 31 vjeçe.
Ndërsa skeda e pasur kriminale e 40-vjeçarit Hutra daton në vitin 2003. Së fundmi Dan Hutra u lirua nga Gjykata e Tiranës më 16 shkurt, dy ditë pasi Apeli kishte refuzuar lirimin e tij nga qelia. (A2 Televizion)