
Tre vjet më parë, nisi transmetimin A2 CNN, partneri ekskluziv i gjigantit mediatik CNN. A2 CNN erdhi si një domosdoshmëri për t’i sjellë një fytyrë të re mediave 24-orëshe, jo vetëm në formë, por mbi të gjitha në përmbajtje.
Me një staf profesionistësh dhe me një mbështetje nga partneri ekskluziv CNN, A2 gjeti shpejt vend në tregun informativ, duke u bërë faktor, e duke i dhënë vlerë raportimit nga terreni, që rri larg propagandës politike.
Ky tre-vjeçar ka qenë i mbushur me ngjarje të shumta dhe raportime të paanshme, të shpejta, të sakta dhe të guximshme. Si një televizion informativ 24-orësh, A2 CNN e nisi vrullshëm misionin e tij, me protestat e studentëve, braktisjen e mandateve dhe demonstratat e opozitës, nga Katedralja e shkrumbuar e Parisit te çështja e negociatave të Anëtarësimit të Shqipërisë në BE, më pas zgjedhjet lokale e të përgjithshme.
Raportimi direkt nga zona lufte, siç ishte raportimi nga kampi i Al Holit në Siri, investigimi i trafikimit të drogës nga Amerika Latine. Transmetimi intensiv dhe me shumë etikë i tragjedisë së tërmetit të 26 nëntorit 2019, duke u bërë gjenerator edhe për gjigantët mediatikë botërore, si CNN, BBC, Mediaset, etj.
Pasqyrimi me vërtetësi i kohës së tmerrshme të pandemisë, e mijëra zhvillime, ngjarje e tema të përditshme janë katalogu i përditshëm informativ i A2CNN.
Në këto 3 vjet, A2 CNN ka ndërtuar një marrëdhënie besimi me publikun, për paanshmëri dhe një gazetari cilësore, me vërtetësi, guxim dhe etikë. (A2 Televizion)