
Aeroportii “Heathrow” do të zgjerohet edhe më shumë, duke ndërtuar deri në vitin 2026 një pistë të tretë, ndërsa zgjerimi total i aeroportit më të madh në Europë, si për nga numri i pasagjerëve ashtu edhe nga sipërfaqja që ka, do të përfundojë në vitin 2050 sipas masterplanit të publikuar.
Plani përfshin lumenjtë përqark pistës së re, rrugë të lëvizshme dhe ribashkim me autostradën M25 të Londrës, përmes një tuneli nëntokësor. Pavarësisht kundërshtive, zyrtarë të aeroportit theksojnë se konsultimet me publikun do të jenë të hapura deri më 13 shtator.
Ky është masterplani i vizualizuar nga arkitektët, i cili do të ofrojë lehtësim të transportit publik. Arkitektët kanë menduar edhe për zhurmën dhe nivelin e ndotjes në zonën ku do të ndërtohet pista e re: banorët e komunitetit përqark do të shijojnë qetësinë e natës pasi është vendosur që asnjë avion nuk do të ngrihet prej saj për 8 orë, nga 23 e mbrëmjes deri në 7 të mëngjesit.
Pista e re do të ndërtohet në veri-perëndim të aeroportit. Tuneli që lidh aeroportin me autostradën do të kalojë nën pistë, ndërsa masterplani parashikon edhe ndërtimin e hoteleve dhe parkingjeve të reja që do të ndihmojnë në krijimin e vendeve të reja të punës.
I gjithë aeroporti i Heathrow do të rrethohet nga gjelbërimi. Investimi total privat për aeroportin do të kushtojë 30 miliardë paundë. (A2 Televizion)