
Që prej nisjes së angazhimit të tij në fund të viteve '80, Sali Berisha u bë pjesë e pandarë e politikës në vend, duke i provuar të gjitha pozicionet politike, që nga deputet deri në krye të Shtetit, si President i Republikës.
Aktiviteti i Berishës nis me krijimin e Partisë Demokratike, forca e parë opozitare e dalë nga protestat studentore për rrëzimin e dikaturës në 1990, duke u bërë kryetar i saj brenda dy muajsh.
Pas zgjedhjeve që sollën për herë të parë demokratët në pushtet, më 9 prill 1992, Berisha u zgjodh President. Në mandatin e tij, Shqipëria u hap ndaj Perëndimit, duke u bërë anëtare e Këshillit të Evropës, nënshkroi Marrëshveshjen për Paqe dhe Partneritet, si dhe vendosi bashkëpunim të ngushtë me vendet e BE-së dhe ShBA-në.
Zgjedhjet e 1996-s, dështimi i skemave piramidale që sollën dhe trazirat e vitit të mbrapshtë 1997, sollën rrëzimin e Partisë Demokratike nga pushteti përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ky rezultat u pasua me dorëheqjen e Sali Berishës nga posti i Presidentit, ndërsa periudha 8-vjeçare në opozitë u shënua me raporte negative me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por, 2005 është viti i rikthimit të tij në pushtet nën sloganin e "Kohës për ndryshim, me duar të pastra", duke udhëhequr fushatë pozitiviste me antikorrupsionin si kalë beteje, pas dy mandateve të socialistëve që dështuan në këtë fushë.
Mandati i parë qeverisës i Berishës u njollos nga një shpërthim i fuqishëm në ndërmarrjen e demontimit të armëve në Gërdec, në mars të vitit 2008. 26 persona humbën jetën. Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dha dorëheqjen, ndërsa pati akuza edhe për familjarët e kryeministrit Sali Berisha, si të implikuar në afera korruptive.
Por, 2005-2009 është mandati më pozitiv i Sali Berishës sa i përket zhvillimit ekonomik, luftës kundër krimit të organizuar, firmosjes së Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në dhe dorëzimi i aplikimit për statusin e vendit kandidat. Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në NATO dhe këtë do ta njoftonte nga Tirana vetë Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Bush. Pas fitores edhe të zgjedhjeve të vitit 2009, Shqipëria fiton edhe lëvizjen pa viza në Bashkimin Evropian.
Por, për këtë mandat të dytë rezultati zgjedhor i imponon aleancë me partinë e majtë të Ilir Metës, Lëvizjen Socialiste për Integrim, ndërkohë opozita e Edi Ramës bojkotonte Parlamentin, duke kërkuar hapjen e kutive.
Protestat e socialistëve u përshkallëzuan në janar të 2011-s, pas publikimit të video-përgjimit Meta-Prifti, ku aleati i Berishës akuzohej se po bënte korrupsion. Dorëheqja e Metës si ministër nuk mjaftoi. Protesta e 21 janarit, ku kërkohej largimi i Sali Berishës, rezultoi fatale për 4 protestues, që mbetën të vrarë në mes të bulevardit, ndërsa Berisha akuzoi socialistët, Presidentin dhe Prokuroren e Përgjithshme për puç kushtetues. Por, roli amerikan ishte vendimtar për qetësimin e situatës, ndërsa bënin presion që opozita e Edi Ramës t’i kthehej Parlamentit… Vizita e zv/ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Tomas Kantrimen, ishte në funksion të zgjidhjes së krizës politike dhe socialistët u tërhoqën nga kërcënimi për bojkotin e zgjedhjeve vendore të 2011-s.
Në zgjedhjet e 2013-s, Sali Berisha hyn pa Ilir Metën, me të cilin Edi Rama firmosi marrëveshje për të ardhmen në qeveri, duke i vënë kapak të shkuarës në opozitë. Me humbjen e zgjedhjeve, Berisha dha dorëheqjen nga të gjitha postet drejtuese të Partisë Demokratike, ndërsa kryetar u zgjodh Lulzim Basha. Në aktivitetin opozitar si deputet, Berisha ishte një prej kritikëve më të fortë ndaj Reformës në Drejtësi, një projekt ku investimi amerikan ishte absolut. Zoti Berisha më 25 u pril u zgjodh deputet edhe për një tjetër legjislaturë. (A2 Televizion)