Në aeroportin e Vlorës është ulur avioni i parë.
Bëhet fjalë për fluturimin e parë certifikues, shkruan A2.
I pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama dhe zv/kryeministrja Belinda Balluku.
Kreu i qeverisë, në fjalën e tij, tha: “Shumë urime dhe me këmbë të mbarë të gjithë punonjësve të rinj të aeroportit të Vlorës. Falenderoj edhe grupin e ardhur nga Kosova. Shpreh besimin se kjo shqiponjë dykrenare që është krijuar me dy grupet, do e ngrejë shumë lart emrin e këtij aeroporti. Falenderoj edhe ata që besuan e punuan për këtë projekt, që ishte tejet sfidues”.
Më tej, kryeministri njoftoi se së shpejti në Kukës do të nisë fluturimet kompania e re ajrore “Air Kosova”.
“Për ata që thonë se ky është fluturim “fake” që bëhet për propagandë dhe pastaj aeroporti do të mbetet si Kukësi. Ai aeroport ka pasur sfidë më vete për sigurimin e operatorëve, ka problematikë me korridorin e uljes, nuk është aeroport i thjeshtë. Nuk është gjetur në kohë një “akullthyes” që do të dëshmojë se ai aeroport ia vlen. Do të kemi së shpejti një kompani të re shqiptare që do të nisë fluturimet në aeroportin e Kukësit. “Air Kosova” do të jetë kjo kompani, me dy avionë të krenarisë sonë të përbashkët”, deklaroi Rama.
(A2 Televizion)