Presidenti i Kinës, Xi Jinping, u prit me ceremoni madhështore në Kremlin nga presidenti rus Vladimir Putin, në vizitën e tij të njëmbëdhjetë në Rusi. Vizita përkon me 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, që në Rusi njihet si Dita e Fitores dhe festohet më 9 maj.
Gjatë ceremonisë, të dy liderët shkëmbyen përshëndetje të ngrohta, duke theksuar “miqësinë e vjetër” mes tyre dhe aleancën e fortë mes dy vendeve. Xi e cilësoi marrëdhënien Kinë-Rusi si “të qëndrueshme dhe elastike”, ndërsa Putin e quajti Xi-në “miku i dashur”, shkruan A2 CNN, referuar mediave ndërkombëtare. Xi theksoi se zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe është një vazhdimësi natyrale e miqësisë historike mes dy popujve.
Xi pritet të nënshkruajë disa marrëveshje bashkëpunimi gjatë kësaj vizite katërditore, duke forcuar më tej partneritetin strategjik të cilësuar nga të dy si “miqësi pa kufij”. Kina ka shërbyer si mbështetje ekonomike për Rusinë gjatë luftës në Ukrainë, ndërsa Perëndimi e sheh këtë afrim si sfidë ndaj rendit ndërkombëtar.
Gjatë fjalimeve të tij, Xi denoncoi “hegjemoni dhe njëanshmëri” në arenën ndërkombëtare, një kritikë e fshehur ndaj SHBA-së. Në të njëjtën kohë, ai ritheksoi mbështetjen ruse për politikën e “një Kine të vetme”, duke kundërshtuar çdo formë të pavarësisë së Tajvanit.
Vizita e Xi vjen në një moment tensioni të lartë global, me liderë perëndimorë të shqetësuar për mundësinë që Kina të ndjekë një model të ngjashëm me atë të Rusisë në Ukrainë, për të ndërmarrë veprime ushtarake ndaj Tajvanit. (A2 Televizion)