Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas lajmit të publikuar në media se Sali Berisha mund të shkojë në SHBA, bazuar në postimin e një gazetari amerikan në X. Përmes një postimi në Facebook, kryesocialisti shprehet se kjo është një tjetër tallje e Berishës dhe një trushpëlarje. Duke ironizuar Rama thekson se “këneta sheh ëndrra madhështore me rrugë qumështi dhe mëndafshi”.
“Thashë se ia hoqën vërtetë damkën të shpëtonte Shqipëria nga një turp i pashembullt, po aha, hiç, qenkej një tjetër nga ato talljet e Bufit me lukuninë e Kënetës, ku mbetet gjithnjë i palëkundur besimi se po e tha Bufi fluturon edhe gomari. Trushpëlarje aq shembullore u ka bërë në tërë këto vite të shkretëve, sa që edhe kur Bufi i rrjedhur përçartet rrugëve, Këneta sheh ëndrra madhështore me rrugë qumështi dhe mëndafshi, ku oqeani bëhet kos dhe kapelja trampiste e Bufit shumëfishohet në miliona tenxhere floriri me mbishkrimin USA”, shkruan Rama.
Një ditë më parë gazetari amerikan Marc Caputo që punon për agjencinë “Axios” i ka bërë një pyetje Departamentit Amerikan të Shtetit nëse kreu i opozitës në Shqipëri, Sali Berisha mund të vizitojë Shtetet e Bashkuara.
Në një koment në rrjetin “X” ai thotë: “E pyeta Departamentin e Shtetit për statusin e vizës së Berishës dhe më thanë se ai mund të vijë në SHBA” – shkruan gazetari që publikon edhe përgjigjen e DASH.
“Ne japim rregullisht përjashtime për të lehtësuar udhëtimin e individëve të caktuar në SHBA, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare. Si e tillë, ne nuk do të lejojmë që interesat tona të politikës së jashtme apo marrëdhëniet me Shqipërinë të mbahen peng nga vendime të politizuara të epokës së Biden-it” – thuhet në reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit dërguar për gazetarin.
Caputo ka shpërndarë edhe një shkrim të gazetës “Wall Street Journal” ku ka dhënë një intervistë drejtuesi i fushatës së PD-së, Chris LaCivita.
Kujtojmë se ish-kryeministri Berisha dhe anëtarët e familjes së tij u shpallën “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit në 19 maj të vitit 2021. Lajmi u bë i ditur nga sekretari i Shtetit i asaj kohe, Antony Blinken. (A2 Televizion)