Presidenti i Republikës, Ilir Meta dhe kryetari i Partisë Demokratike përkujtuan të enjten, përmes një postimi në rrjetet sociale, 30-vjetorin e hapjes së ambasadave.
Kryedemokrati e cilësoi këtë ngjarje si shumë të rëndësishme në historinë e Shqipërisë, ku mijëra qytetarë i dhanë një nga goditjet më të forta regjimit komunist.
“Mijëra qytetarë shqiptarë që u strehuan për gati dy javë në ambasadën gjermane, u bënë ato ditë simboli i qëndresës dhe kurajos ndaj një regjimi që edhe në grahmat e fundit kishte treguar mizori çnjerëzore. Edhe pse në kushte të vështira, ambasada gjermane dhe të tjera seli diplomatike në Tiranë, u shndërruan në qiellin e lirisë së munguar për mijëra shqiptarë që diktatura ua kishte mohuar të drejtat për 50 vite me radhë”, shkruan Basha.
Më tej Lulzim Basha nënvizon se ashtu si 30 vjet më parë ëndrra e shqiptarëve është Europa dhe vlerat e saj demokratike.
“Sot si 30 vjet më parë ëndrra e shqiptarëve që thyen muret e diktaturës për të mos u kthyer më pas është liria dhe Europa. Janë vlerat e një bashkimi që na frymëzon dhe na shtyn përpara.
Shqiptarët përmbushën një pjesë të kësaj ëndrre kur 10 vite më parë ne mundësuam liberalizimin e vizave”, përfundon Basha.
Ndërsa presidenti Ilir Meta zgjodhi për ta përkujtuar këtë ngjarje me një foto të shkrepur në ambientet e ambasadës gjermane 30 vjet më parë.
Kreu i shtetit kërkoi sërish përmbushjen sa më shpejt të kushteve për negociatat në mënyrë që të shpërblehen sakrificat e atyre njerëzve që sfiduan regjimin dhe kapërcyen gardhet e selive diplomatike të kohës.
“Hapja e dyerve të Ambasadës gjermane goditi në zemër diktaturën më të egër në Europë. 30 vite më pas, në emër të këtyre sakrificave të jashtëzakonshme njerëzore duhet të përmbushim sa më parë të gjitha kushtet, që të nisim negociatat e anëtarësimit me BE gjatë Presidencës gjermane. Presidenca gjermane e BE është një mundësi e shkëlqyer, dhe një sprovë e vërtetë për çdokënd që për Shqipërinë Europiane jo vetëm flet por edhe punon”, shprehet presidenti. (A2 Televizion)