31 të arrestuar për tërmetin në Tiranë, hetimet do të shtrihen edhe në Dajt dhe Kamëz

Nga A2 CNN
15 Janar 2020, 14:23 | Kronikë
31 të arrestuar për tërmetin në Tiranë, hetimet do

25 godina të institucioneve publike, 134 pallate dhe mbi 200 banesa private në qarkun Tiranë janë shpallur të pabanueshme nga autoritetet. Kështu u shpreh Kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj, gjatë një konference për mediat.

Deri tani 31 persona janë arrestuar në lidhje me pasojat e tërmetit të 26 nëntorit, të cilët akuzohen për “ndërtim të paligjshëm”, “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh”. Imeraj tha se gjatë hetimeve janë konstatuar të dhëna të ndryshme ne lidhje me godinat, nga ato që janë konstatuar në terren.

“Është hetuar edhe për të parë nëse ndërtuesit apo nënkontraktorët kanë zbatuar me përpikmëri detajet e projektit duke bërë të mundur që veprimet e tyre të sillnin pasojat”, tha Imeraj.  “Prokuroria po heton të gjitha ato objekte që janë nxjerrë të pabanueshme për të nxjerrë personat përgjegjës për rastet”.

Imeraj shtoi se hetimet do të vazhdojnë jo vetëm për zonat e Vorës, Kasharit dhe Farkës, të cilat janë hetuar deri tani, por edhe për të gjitha ndërtesat në Tiranë që janë konstatuar si të pabanueshme. Hetimet po vazhdojnë edhe për njësinë administrative Dajt, por edhe për godinat në Bashkinë e Kamzës.

Prokurori i çështjes, Erjon Ymeraj, tha se kryesisht në dokumentacionet e këtyre ndërtimeve mungojnë studimet sizmike, oponenca teknike, procesverbalet e përfundimit të punimeve, karabinave dhe dokumente të tjera teknikë, si dhe akt-konstatimet që janë mbajtur nga zyrtarët e ish-komunave të Kasharit dhe Farkës.

Ai shtoi se edhe në dosjet e nënkontraktorëve ka mangësi në dokumentacion si kolaudimi i objekteve dhe procesverbalet e kryerjes së provave për betonin dhe hekurin e përdorur në objekte. Në disa raste mungon edhe leja e shfrytëzimit të objektit dhënë nga njësia administrative.

Nën hetim kanë qenë edhe objekte të ndërtuara para vitit 1990, në të cilat është cenuar struktura në katet e para, çka ka sjellë edhe ndalimin e personave një ditë më parë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos