
Një operacion i gjerë antidrogë i policisë italiane është zhvilluar në rajonin e Brescia dhe ka vënë në pranga 32 persona e sekuestruar 157 kg lëndë narkotike të llojeve të ndryshme.
Sipas Guardia di Financa, operacioni “Përmbys” u zhvillua në Brescia, Bergamo, Monza, Reggio Emilia e Bolzano dhe pjesa më e madhe e të arrestuarve janë shtetas shqiptarë.
Lënda narkotike e sekuestruar ishte kokainë, marijuanë dhe hashash dhe dyshohet se vinte nga Shqipëria, Holanda dhe Spanja. Nëse kjo lëndë narkotike do të dilte në treg do të arrinte një vlerë 6 milionë euro.
Hetimet e prokurorisë së Bergamos për këtë grup kriminal nisën që në vitin 2017 pas përfshirjes së dy vëllezërve shqiptarë, rezidentë në Reggio Emilia. Pas ndjekje dhe përgjimeve të tabulateve të dy vëllezërve u gjetën dhe dy furnitorët e drogës, sërish shqiptarë që operonin në komunat Osio Sopra dhe Osio Sotto. (A2 Televizion)