Sherri për xhelozi në Kavajë, një i vdekur, plagoset polici i burgjeve

Nga A2 CNN
10 Tetor 2019, 08:45 | Kronikë
Sherri për xhelozi në Kavajë, një i vdekur, plagoset polici

Një histori e dyfishtë dashurie jashtë martesore duket se i ka kushtuar shtrenjtë dy personave, ku njëri mbeti i vdekur ndërsa tjetri i plagosur. Ngjarja tragjike ka ndodhur në lagjen nr. 2 të Kavajës, në banesën e një 30 vjeçareje, nënë e tre fëmijëve të mitur.

Nga të dhënat paraprake dyshohet se 30 vjeçarja ishte në banesë me viktimën, Dritan Haxholli, kur në banesë vjen efektivi i Policisë së Burgjeve, Bledar Toci. Ky i fundit dyshohet se ka hyrë nga dera e ballkonit dhe ka gjetur brenda në banesë Haxhollin.

Mes dy burrave fillimisht ka nisur debat verbal dhe fizik dhe në një moment 29-vjeçari Dritan Haxholli ka qëlluar me armë zjarri punonjësin e burgjeve duke e plagosur. Nga ana tjetër, efektivi i policisë, në kushtet e vetëmbrojtjes, ka qëlluar me armën e shërbimit duke e lënë të vdekur Dritan Haxhollin.

Pas krismave në vendngjarje ka mbërritur edhe policia e cila ka nisur hetimet për këtë ngjarje e dyshuar për motive pasioni. Ndërkohë, policia ka arrestuar punonjësin e policisë së burgjeve dhe e ka shoqëruar në Spitalin e Traumës në Tiranë, pasi kishte marrë dy plumba. Nga ana tjetër, nëna e tre fëmijëve rezulton se e ka bashkëshortin të burgosur në Gjermani.

Edhe pse ngjarja është e zbardhur në dinamikë dhe autorësi, mbetet për t’u detajuar marrëdhënia e 30 vjeçares me dy personat e përfshirë në konfliktin e armatosur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos