4 herë kampion, Vettel tek Aston Martin prej sezonit të ardhshëm

Nga A2 CNN
10 Shtator 2020, 11:45 | Sporte të tjera
4 herë kampion, Vettel tek Aston Martin prej sezonit të ardhshëm

Dilema për të ardhmen e Sebastian Vettel tashmë ka marrë fund. Piloti gjerman do të mbetet në Formula 1 dhe do të garojë duke nisur nga botërori i ardhshëm, për Aston Martin ose ndryshe skuderinë Racing Point të këtij sezoni.

Është kjo zgjedhja që 4 herë kampioni i botës ka bërë duke i dhënë fund ciklit të tij te Ferrari. Vettel-it iu komunikua ndërprerja e kontratës me kokëkuqen në nisje të këtij Botërori ndërsa drejtuesit nuk dëshiruan të rinovonin me pilotin 33-vjeçar.

Gjermani iu bashkua Ferrarit në vitin 2015, me misionin për ta rikthyer te lavdia pak sezone pasi kishte vendosur hegjemoninë në Formula 1 duke u shpallur kampion për katër vite me radhë.

Por aventura e tij në skuderinë italiane rezultoi jashtë pritshmërive, Ferrari jo vetëm që nuk mundi të ishte konkurrues me Mercedes, por tashmë është në krizë totale, me Kokëkuqen që po shfaq rezultatet më të dobëta që prej krijimit të saj.

Për këtë arsye revolucioni te italianët është i pashmangshëm. Në vendin e Vettel do të ulet Carlos Sainz, piloti i ri i spanjoll, i cili do të ketë përkrah Leclerc, tashmë të konfirmuar në Formula 1.

Ndërsa Sebastian Vettel do të lëvizë drejt Aston Martin për të marrë vendin e pilotit meksikan Sergio Perez që është jashtë planeve të drejtuesve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos