
“Pjesëmarrja e rinisë është garanci për të ardhmen e politikës, sepse çdo organizatë pa pjesëmarrjen e të rinjve është e vdekur”. Kështu deklaroi sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri në çeljen e akademisë verore me të rinjtë eurosocialistë nga 40 vende të ndryshme të botës. Sipas tij aktivizimi i të rinjve në politikë është një mundësi jo vetëm për të formuar karakter, por dhe për të ndryshuar vendin e tyre.
“Mendoj se kjo është një mundësi e mirë për të shkëmbyer eksperienca nga vendet tuaja, në veçanti mbi këto politika. Sigurisht ne mendojmë se pjesëmarrja e rinisë, është garanci për të ardhmen e politikës, sepse çdo organizatë pa pjesëmarrjen e të rinjve është “e vdekur” dhe në veçanti ato politike, edhe pse ndonjëherë në kohët e sotme disa njerëz thonë se kjo nuk është profesionale, por nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të rregulluar një shtet apo për të mbrojtur të ardhmen tuaj, pa pjesëmarrjen direkte në politikë. Kështu që unë mendoj se çdo veprim, çdo kohë që ju harxhoni në politikë, është e vlefshme jo vetëm për ju, për të formuar karakterin, por në të njëjtën kohë për të ndryshuar botën.”
Numri dy i socialistëve deklaroi se Vlora ka qenë dëshmitare e ndryshimeve pozitive që kanë ndodhur në Shqipëri nën qeverisjen socialiste.
“Vlora një qytet që ka patur një transformim të madh. Sigurisht ky është një aktivitet për të shijuar Shqipërinë, për të shijuar këtë qytet dhe për të parë të gjithë transformimin që ky vend ka parë këto vitet e fundit. Unë kam qenë dëshmitar, bashkë me shumë shqiptarë se sa shumë ka ndryshuar Vlora dhe ju e keni parë që është një nga qytetet më të gjalla, veçanërisht në këtë periudhë të vitit, sezonin veror. Dhe sigurisht, e ku më mirë se sa në këtë qytet, do të ishte më mirë për të organizuar këtë ëorkshop me të rinj, ngado që vijnë, për të shijuar qytetin, por në të njëjtën kohë për të shkëmbyer idetë mes brezit të ri të politikanëve, për të ardhmen e botës; për zhvillimet aktuale dhe sigurisht për të ardhmen”. (A2 Televizion)