
Spanja ruan ecurinë e ditëve të fundit në pandeminë koronavirus. Në 24 orët e fundit u shënuan 440 viktima, dhe në total virusi u ka marrë jetën më shumë se 22 mijë personave. Që prej fillimit të pandemisë, në Spanjë janë infektuar më tepër se 200 mijë vetë, prej të cilëve 89 mijë janë shëruar. Autoritetet konfirmuan se Covid-19 hyri në vend në muajin shkurt përmes 15 rrugëve të ndryshme.
Qeveria e Madridit do të nisë lehtësimin e masave kufizuese nga kjo fundjavë, ku do të lejojë minorenët poshtë 14 vjeç që të dalin në rrugë për një orë në ditë, por të shoqëruar nga një i rritur dhe vetëm 1 kilometër larg shtëpisë. Sigurisht nuk lejohen ata që kanë temperaturë, simptoma të virusit apo që janë në karantinë.
Ndërkohë, Franca po kalon situatë tepër të vështirë nga Covid-19. Pandemia ka shkaktuar më shumë se 21 mijë viktima në këtë shtet, i cili renditet në vend të katërt në botë sa i përket fatalitetit. Në bazë të të dhënave të raportuara nga qeveria franceze, ka shënuar rënie numri i pacientëve në terapi intensive si dhe ai i rasteve të reja. Përkatësisht të infektuarit me Covid-19 janë 157 mijë dhe prej tyre, 5200 në përkujdesje intensive.
Drejtori i agjencisë shëndetësore, Jerome Salomon, kërkoi më shumë kujdes në vlerësimet zyrtare, pasi një spital në Paris deklaroi se duhanpirësit janë më pak të rrezikuar nga koronavirusi i ri. Pretendimi i tyre u bazua në vëzhgimin e 350 pacientëve të prekur nga Covid-19, ku vetëm 5% prej tyre ishin duhanpirës. Salomon e konsideroi interesante këtë të dhënë, dhe kërkoi një studim më të detajuar lidhur me faktin nëse nikotina mund të frenojë virusin të prekë receptorët e qelizave, për pasojë duke ngadalësuar përhapjen në trupin e njeriut. (A2 Televizion)