Gazetari Lavdrim Lita u shpreh se nën drejtimin e Klodian Brahos, SPAK-u nuk ka prioritet hetimin e politikanëve, por luftën kundër krimit të organizuar dhe narkotrafikut.
“SPAK me drejtimin e Brahos ka marrë një kurs tjetër, për të luftuar krimin e organizuar dhe narkotrafikun, duke e prioritarizuar në vend të dytë apo në vend të tretë hetimin e politikanëve të nivelit të lartë, që Dumani e kishte prioritetin e parë”, tha Lita në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
Sipas tij, “nuk duhet përdorur SPAK-u si “leva e Arkimedit” për të përmbysur qeverinë apo për përmbysje politike”.
“Kjo është një zgjidhje politike. Duhet një akt parlamentar, duhet një proces shumë i gjerë, që nuk bëhet vetëm me drejtësi. Drejtësia nuk sjell demokraci në mënyrë automatike në vendin tonë. Ndërhyrja e pazakontë e kongresmenëve dhe senatorëve në jetën politike të Shqipërisë është një gjë që duhet regjistruar si një gjë e mirë për vendin, sepse komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bën lobim dhe po bën një ndërgjegjësim për problemet që ka Shqipëria tek personat që ata zgjedhin në Kongres dhe në Senat. Ata janë shumë sensibël ndaj institucioneve amerikane që t'i tërheqin veshin institucioneve shqiptare që t'i qëndrojnë drejt dhe sipas ligjit, çështjeve. Sigurisht, amerikanët kryesisht dhe ambasadori këtu, ka një detyrë të jashtëzakonshme për të mbajtur dhe ekuilibrat institucional dhe ekuilibrat politikë në vend dhe nuk mund të ekspozohet në çdo betejë politike që bëhet në Tiranë”, shtoi Lita. (A2 Televizion)