
Eksperti për ekonominë Bardhi Sejdarasi ka sqaruar në A2 Business skemën e abuzimit me çmimet e hidrokarbureve në vend. Sipas tij ekziston një marrëveshje e fshehtë, e cila mund të zbulohet vetëm nga Autoriteti i Konkurrencës, i cili prej dy ditësh ka nisur një hetim të thelluar në lidhje me shqetësimet e ngritura për këtë fenomen.
“Kur isha drejtor i shoqatës së hidrokarbureve, Autoriteti i Konkurrencës ka hetuar për 5 vjet me radhë nëse kishte vendosje vertikale të çmimeve, apo monopol dhe oligopol. E njëjta gjë ndodhi vjet ku u tentua hetim i thelluar për portet, aty është parë që nuk ak patur shkelje. Po dy ditë ka nisur një hetim të thelluar që merr në konsideratë shqetësimet tona. Ka abuzim dhe është i madh. Nuk mund të ndodhë brenda natës që në orën 20:00 të jetë 184 lekë dhe të nesërmen mëngjes ta gjejmë 193 lekë. Kjo do të thotë që vendosja me shpejtësi e çmimit është shkelje e ligjit të konkurrencës është abuzim dhe që sjell fitime të mëdha. Do ju tregoj një rast se kam dy dokumente të doganave të 2088 dhe 2022. Gazoil në 2008 zhdoganohej me 1 mijë e 271 dollarë për ton, në janar 2022 zhdoganohet 760 tonë. Këtë nuk e kap dogana, por Autoriteti i Konkurrencës dhe kjo është një marrëveshje e fshehtë”.
Sipas Sejdarasit importi në Shqipëri është më i lirë se Maqedonia e veriut se të dy vendet furnizohen në Durrës, por vendi ynë nuk ka mekanizma se nuk ekziston agjencia që merret me rregullimin e tregut të hidrokarbureve.
“Nuk ka mekanizma në Shqipëri se nuk ekziston agjencia që merret me rregullimin e tregut të hidrokarbureve. Në RMV është 65.5 l naftë. Është enti që nuk lejon abuzimin, Kroacia ka vendosur dje që për 3 javë duhet të jetë fiks për të mbështetur aktorë dhe faktorë që dëmtohen nga rritja e çmimit”.
Përkundër Maqedonisë se Veriut që ka një institucion që mbikëqyr tregun e hidrokarbureve, ish-zëvendësministri i Financave Elton Haxhi tha se Shqipëria nuk ka një mekanizëm ligjor që të vendosë çmimin e tregtimit të karburantit.
“Nuk di të kemi mekanizëm ligjor që shteti të vendosë një tavan apo të caktojë çmimin e tregtimit të karburantit përveç se nëse do shpallte gjendjen e jashtëzakonshme”.
Deputetja Sorina Koti i rekomandon qeverisë që ta trajtojë naftën si produkt jetik në kushte emergjence.
“Mos duhet trajtuar nafta si produkt jetik në kushte emergjence dhe krize dhe patjetër duhet të ndërhyjë qeveria”. (A2 Televizion)