
Ish-zëvendës ministri i Financave Elton Haxhi denoncoi në studion e A2 Business, informalitetin në tregun e karburanteve në vendin tonë. Sipas tij evidencat tregojnë se ka informalitet në cenimin e cilësisë, duke e përzierë me produkte të tjera, ka informalitet në sasi, në korrektësinë e shitjes dhe kontrabandë.
“Tregu i karburanteve është pjesë e rëndësishme e konsumit që sjell të ardhura në buxhetin e shtetit, qoftë nga tatimet indirekte dhe tarifat e tjera. Unë do të thosha që është treg që vuan nga informaliteti, nuk jam dakord që është i formalizuar. Ngjarjet dhe evidencat tregojnë se ka informalitet në cenimin e cilësinë, duke e përzierë me produkte të tjera, ka në sasi, në korrektësinë e shitjes dhe kontrabandë”.
Haxhi e justifikon rritjen e taksave nga qeveria për karburantin në mënyrë që të kontrollojë tregun.
“Duke qenë se është një treg i tillë vulnerabël ndaj informalitetit po të heqim pjesën e taksave indirekte gjithë pjesa tjetër të tarifave; skanimi, markimi, kolaudimi, rilicensimi janë kosto që i janë ngarkuar këtij produkti për shkak të problemeve që ka pasur me informalitetin. Është detyra e qeverisë ta vërë nën kontroll këtë treg duke i shtuar këto tarifa për ti kontrolluar. Këto janë mekanizma që i ka futur në përdorim se ka pasur abuzime dhe duhet ta pranojmë”.
Nga ana e tij Dael Dervishaj pranon cilësinë e ulët të naftës, por ia adreson qeverisë përgjegjësinë për kostot e shtuara, pasi sipas tij kjo vjen nga privatizimi dhe koncesionet.
“Jam dakord me Haxhin që cilësia e naftës është e ulët, nuk hidhet ajo që tregon pompa. Por sot shumë nga këto shërbime janë privatizuar me koncesion te kompanitë private. Për këtë arsye këto kanë ndikuar në rritjen e çmimit të naftës. Kjo është çështje kompetence e qeverisë që nuk kryen dot një shërbim dhe e delegon te një etnitet privat që sjell kosto ekstra”. (A2 Televizion)