
Deputetja Sorina Koti ia faturon përgjegjësinë qeverisë Rama për rritjen e çmimit të karburanteve. Në studion e A2 Business, ajo theksoi se Shqipëria është e ekspozuar totalisht ndaj rritjes së çmimit për shkak të mos ndërhyrjes së qeverisë. Sipas saj problemi kryesor në vend janë taksat për karburantet.
“Rritja e çmimit të karburanteve ka qenë nja nga problemet që kemi diskutuar në komisionin e ekonomisë dhe problemet që do të shkaktonte rritja e çmimit të naftës, por edhe më tej parashikimit. Ne fajin ua hedhim tregjeve ndërkombëtare, por harrojmë që peshën më të madhe e kanë taksat qeveritare në Shqipëri dhe ky është problemi kryesor ku nga mos ndërhyrja e shtetit është kjo rritje galopante. Jemi të ekspozuar totalisht ndaj rritjes së çmimit për shkak të politikave që ka ndjekur qeveria”.
Duke e akuzuar qeverinë Rama se udhëhiqet nga rritja e vazhdueshme e taksave, Koti sugjeron që të ndërhyjë në uljen e taksës së qarkullimit dhe TVSH-së për të ndihmuar biznesin dhe konsumatorin.
“Qeveria Rama ka pasur predispozitë rritjen e taksave për të mbushur buxhetin e shtetit ajo që diskutojmë janë ato taksa që mund të reduktohen. Ajo që mund të bëjë qeveria është të reduktojë taksa e tarifa që janë në dorë të saj si; taksa e qarkullimit apo ulja e TVSH për mjetet që ndihmojnë biznesin dhe konsumatorin. Të ndihmosh buxhetin në kushte krize do i drejtoja gishtin qeverisë për të marrë masa, këto dy gjëra qeveria i ka në dorë për të ulur çmimin”. (A2 Televizion)