
46-vjeçari i gjendur i vdekur këtë të shtunë në Vlorë, Altin Alikaj, mësohet se është vrarë disa ditë më parë. Burime nga vendi i ngjarjes thonë se Alikajt i është gjetur një plumb në shpatull, nga krahu i zemrës. Trupi i tij ndodhet në morgun e Vlorës ku po kryhen ekzaminimet e mëtejshme, tha Policia.
Alikaj mësohet se ka hyrë ilegalisht në Shqipëri. Sipas burimeve të A2 CNN, disa kohë më parë ka qenë në Kosovë dhe atje i është mbajtur pasaporta. Gjithashtu, sipas burimeve, pas vrasjes atij i është marrë edhe telefoni, të cilin efektivët apo familjarët nuk e kanë gjetur në banesë.
Alikaj kishte dy javë që nuk komunikonte me familjen e tij dhe prej 8 ditësh ishte shpallur i humbur. Ai është gjetur këtë të shtunë i pajetë. Ka qenë nëna e tij, e cila e ka gjetur sot 46-vjeçarin pa jetë brenda shtëpisë së tij, e cila ishte vetëm pak metra nga shtëpia e prindërve të tij, raporton gazetarja e A2 CNN, Jerola Ziaj. Alikaj ka qenë përdorues i lëndëve narkotike. 46-vjecari jetonte vetëm, ndërsa prindërit shumicën e kohës jetonin në Greqi. Në shtëpinë e viktimës janë helmuar më herët qentë e komshinjve, është prerë automati i dritave dhe në banesë është gjetur një sëpatë me gjurmë gjaku. (A2 Televizion)