49 kilogramë kokainë e fshehur në një kontejner me banane i ardhur nga Ekuadori me destinacion vendin tone, ishte tentativa e radhës për të realizuar trafikun ndërkombëtar të drogërave të forta. Lënda narkotike u zbulua në portin e Durrësit, ku kontejner i ardhur në emër të firmës, Ecoalmax ishte vendosur në zonën e kontrollit. Pas gjetjes së lëndës narkotike, policia ka vënë në pranga edhe administratorin e firmës me qendër në Maminas, ai është Selim Çekaj, babai i Arbër Çekajt, personit tashmë të dënuar nga drejtësia shqiptare me 14 vite burgim, pasi në kontejnerët që vinin në emër të firmës së tij, 3 vite më parë u gjetën plot 613 kg lëndë narkotike kokainë.
Me sa duket në të njëjtën skemë babai i tij ka tentuar për të realizuar trafikun e 49 kilogramëve kokainë, por që ka dështuar, pasi aktiviteti i firmës në fjalë ka qenë i survejuar dhe se shërbimet policore në bashkëpunim me ato doganore kane realizuar operacionin për kapjen e sasisë së lëndës narkotike.
Ndërkohe burimet policore bëjnë me dije se Selim Çekaj nuk ka pranuar të kishte dijeni për lëndën narkotike të fshehur në kontejnerin me banane, por burimet shprehen se janë provat e plota për implikimin e tij dhe të personave të tjerë që pritet të arrestohen në vazhdim. (A2 Televizion)
