50 mijë të mitur shfrytëzohen çdo vit në Shqipëri

Nga A2 CNN
12 Qershor 2023, 15:42 | Sociale
50 mijë të mitur shfrytëzohen çdo vit në

Varfëria dhe kushtet e vështira të jetesës i detyrojnë shumë fëmijë të braktisin shkollën dhe të punojnë për të mbijetuar. Sipas studimeve janë jo pak, por rreth 5-7% e fëmijëve në të gjithë vendin që shfrytëzohen për punë, një pjesë e madhe të angazhuar edhe në punë të rënda për të fituar bukën e gojës.

Në ditën Botërore kundër Punës së Fëmijëve, edhe në Shqipëri shoqëria civile marshoi në sheshin ‘Nënë Tereza’ për të shprehur sensibilizimin dhe rikthimin e vëmendjes ndaj këtij fenomeni.

“Mbi 7% të të miturve në Shqipëri janë fëmijë që punojnë, kujdesen për familje etj. Janë fëmijë që sot shfrytëzohen për punë për të mbajtur me bukë familjet e tyre. E gjithë Shqipëria duhet të ishte sot në këmbë për të ndaluar një fenomenet më të dëmshme. Thirrja jonë është e thjeshtë, autoritetet të hapin sytë, janë fëmijë që s’kanë bukën e gojës”, tha Altin Hazizi, drejtor i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.

Përballë krizës së çmimeve, shifrat kanë një tendencë përkeqësimi, ashtu sikurse ndodhi gjatë pandemisë. Vetëm gjatë dy viteve të fundit, në ALO 116-111 (telefoni i ndihmës për fëmijë) u raportuan 748 raste të fëmijëve që shfrytëzohen për punë në Shqipëri. Pjesa më e madhe e këtyre raportimeve janë fëmijë që përdoren për të lypur në zonat urbane.

“Është e patolerueshme që sot fëmijët të shfrytëzohen në mes të Tiranës, në bujqësi në miniera bashkë me prindërit e tyre dhe autoritetet kanë zgjedhur të mbyllin sytë. Fëmijët nuk janë ata që përqafojnë politikanët të larë të pastruar të lumtur por fëmijë që nuk kanë bukën e gojës. Ka fëmijë shqiptarë jo vetëm në Shqipëri por dhe jashtë saj që punojnë në shtëpitë e barit një gjë e padëgjuar”, shtoi Hazizi.

Sipas sociologëve në vend, problemi nuk qëndron tek mungesa e ligjeve por tek zbatimi i tyre, me përgjegjësinë kryesore që bie tek institucionet që nuk i vendosin në punë.

“Gjithmonë problem tek ne ka qenë zbatueshmëria jo ligji. Shpeshherë të rriturit nuk janë këmbëngulës për të kërkuar më shumë politika mbështetëse për fëmijët e tyre dhe për t’i kërkuar llogari institucioneve që kanë mision dhe detyrë. Në radhë të parë qeveria të rris vëmendjen, të shoh se ku janë familjet më të varfra në komunitet, të shohin situata që përsëriten më shpesh”, thotë sociologia Entela Binjaku.

Me përfundimin e shkollës 9-vjeçare të detyrueshme, përqindja e atyre që braktisin arsimin për të punuar trefishohet. Numri i përgjithshëm i fëmijëve 5-17 vjeç që punojnë llogaritet deri në 50 mijë çdo vit. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/01/26/gazetari-i-bbc-flet-per-femijet-shqiptare-te-zhdukur-punojne-ne-lavazh-ose-shtepi-bari/

A2 CNN Livestream

Latest Videos