6 herë kampion, “Formula” e Hamilton drejt lavdisë

Nga A2 CNN
26 Dhjetor 2019, 18:51 | Sporte të tjera

“Nuk kam mbaruar ende…”. Këto ishin fjalët e fundit të mbushura me emocion nga piloti i jashtëzakonshëm i Mercedes, Lewis Hamilton, në përfundim të një tjetër sezoni magjik në Formula 1. Më i bukuri, u konsiderua nga britaniku, edhe pse suksesi nuk u vu në dyshim për asnjë moment gjatë gjithë sezonit. Ndoshta sepse janari i vitit 2020 e gjen Hamilton në moshën 35-vjeçare, dhe objektivi i jetës së tij do edhe një tjetër sforco për t’u përmbushur.

A do të mundet ai të finalizojë një tjetër sezon fantastik sikurse viti 2019, me një partner të papërmbajtshëm si Bottas, me një Vettel që kërkon hakmarrje prej kohësh apo me Verstappen e Leclerc të uritur më shumë se kurrë për fitore.

Numrat, rekordet dhe performanca e sezonit që lamë pas e tregojnë mëse të realizueshëm. Gjithçka nisi me një fitore të dyfishtë në Melburn, atje ku pavarësisht se vija e finishit u kalua nga Botas, Mercdes dha sinjalin e parëse do jetë i frikshëm edhe një tjetër sezon. Hamilton nuk priti gjatë, dhe tregoi dhëmbët menjëherë në dy garat e radhës, duke rrëmbyer fitoren në Bahrein dhe Kinë. Shkëputje e menjëhershme nga rivali kryesor, Ferrari, pozicionimi më i mirë i të cilëve ishte vetëm shkalla e tretë e podiumit deri në Çmimin e Madh të Azerbajxhanit.

Lewis nuk u ndal, edhe pse deri në fund, rivali më kërcënues ishte vetë shoku i skuadrës Valteri Bottas. 4 fitore me radhë, prej garës së Spanjës deri në të Francës, me Hamilton që hipotekoi titullin e gjashtë ende pa u mbyllur mirë gjysma e parë e Botërorit. Rreth 100 pikë distancë nga kundërshtari i tij i viteve të fundit, Sebastian Vettel në vetëm 8 gara.

Për herë të parë në Austri, një pilot të Mercedes nuk arriti vendin e parë. Ishte Max Verstappen ai që i dha fund, të paktën përkohësisht, dominimit të skuadrës gjermane. Prej atij cirkuiti, dueli do të ishte i gjithë mes tij dhe kampionit të botës Lewis Hamilton. “Billion Dollar Man” nuk mund të gabonte përpara publikut të tij siç bëri një vit më parë, ndërsa ngriti flamurin britanik në Silverstone. Verstappen tregoi se s’mund të kënaqej kurrsesi me vetëm një fitore, duke fituar Gjermani ndërsa ishte i pari deri në metrat e fundit edhe në Çmimin e madh të Hungarisë, atje ku u dorëzua në fund përballë Hamilton pas një beteje spektakolare për 70 xhiro.

Rikthimi i nga pushimet u duk se do të ishte një pikë kthese për Ferrarin që bëri befasinë duke triumfuar, me Charles Leclerc në Belgjikë, për të parën herë në karrierën e talentit monegask. 22-vjeçari i mahniti të gjithë duke përsëritur suksesin edhe në Itali, fitore që mori vlerë të dyfishtë për Ferrarin. Vettel e prishi gjumin letargjik në Singapor, me Gjermaninë që u zgjua pas 15 garash për marrë fitoren e parë dhe të vetme të një sezoni sa të pafat po aq edhe zhgënjyes.

Gjithçka e bukur për Ferrarin përfundon këtu, sepse prej Rusisë e deri në mbarim të Botërorit, fjalën e rimori skuderia e cila vuri diktatin gjatë sezonit. Një herë Hamilton e një herë Bottas, ndërkohë që RedBull sa herë ngjitej në podium e bënte nëpërmjet spektaklit, rokada ishte e gjitha e pilotëve të Mercedes. Në garën e Shteteve të Bashkuara, Hamilton pa për herë të 154 në karrierën e tij, flamurin me kuadrate teksa valëvitej përpara fytyrës së tij, ndërsa kalonte finishin si pjesë e podiumit. Këtë herë ai flamur kishte tjetër domethënie. Vendi i dytë i në Austin erdhi së bashku me titullin e gjashtë, të cilin britaniku e siguroi matematikisht përpara mbarimit të Botërorit. 6 tituj, po aq sa edhe ata për konstruktorë të Mercedes të cilët prej 6 vitesh me radhë janë skuderia më e mirë e Formula 1.

Gjashta ishte numri i rekordeve të pabesueshme të njëvendëshes gjermane këtë sezon, por, a ekziston një numër tjetër që e tundon më së shumti britanikun? Tek Mercedes apo tek Ferrari kjo ka pak rëndësi, Hamilton do ta bënte pa diskutim krenar, njeriun që prej 29 dhjetorit të vitit 2013 nuk mundet të shoh sukseset të cilat i parashikoi me bindje të plotë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos