David Beckham ndoshta është më tepër i famshëm për pamjen sesa karrierën si futbollist, por një fushatë e re ndërgjegjësimi e shfaq ish-kapitenin e Anglisë sikur nuk e keni parë kurrë.
45-vjeçari, i cili ka pasur një karrierë të ndritur te Manchester United dhe Real Madrid, është shndërruar në një 70-vjeçar falë teknologjisë, pjesë e një fushate të një shoqate jofitimprurëse, “Malaria No More”, sipas të cilës ka një dakordësi mes shkencëtarëve që malaria mund të mposhtet brenda pak vitesh.
Beckham, i cili ka luajtur edhe për Milan, Paris SG dhe LA Galaxy, shfaqet para një publiku teksa duket rreth 30 vite më i vjetër dhe shpall që bota ka mposhtur malarien, “armikun më të vjetër dhe më vdekjeprurës të njerëzimit”.
Më pas, video na rikthen në vitin 2020, ku Beckham jep edhe mesazhin kryesor: “Lufta tani është më e fortë se kurrë. Dhe duke qenë prind vetë, jam zemërthyer që çdo dy minuta, një fëmijë vdes nga malaria”, thotë Beckham. “Por një e ardhme pa këtë sëmundje është e mundshme. Duhet të bashkohemi të gjithë, që malaria të vdesë, e milionë jetë të shpëtohen”.
Malaria, e cila çdo vit i merr jetën 400 mijë personave, kryesisht fëmijë nën 5 vjeç, është një sëmundje parazitare që përcillet përmes pickimit të mushkonjave. Ajo është më e përhapur në pjesën e Afrikës nën shkretëtirën e Saharasë. (A2 Televizion)