700 individë në të gjithë botën, fokat mesdhetare zbulohen edhe në Vlorë

Nga A2 CNN
17 Prill 2023, 15:18 | Aktualitet
700 individë në të gjithë botën, fokat mesdhetare

Me vetëm 700 individë në të gjithë botën, foka mesdhetare është ndër speciet më të rrezikuara. Por edhe pse e tillë disa prej këtyre individëve kanë zgjedhur bregdetin shqiptar për të qëndruar.

Biologët shqiptarë janë shumë entuziastë me prezencën e fokës në zonën detare Karaburun-Ishulli i Sazanit dhe tregojnë përpjekjet për të gjetur ekzistencën e tyre, vendet ku është pikasur dhe rëndësinë e këtij zbulimi.

“Shqipëria në nivelin e rajonit është i pari vend i detit Adriatik ku është evidentuar prezenca e fokës së Mesdheut. Është shumë me vlerë se në kamera shihen më shumë se një individ kemi parë dy prej tyre dhe individë që janë në moshë shumë të re dhe është një shtysë që shpellat tona po përdoren për riprodhim. Fakti që është në ujërat e Shqipërisë është element i shtuar i biodiversitetit dhe rëndësisë së vendit tonë në nivel botëror”, shprehet biologia Laureta Sadikllari.

Po çfarë e rrezikon më shumë fokën mesdhetare?

“Kërcënimi kryesor është shkatërrimi i habitatit që vjen nga aktiviteti njerëzor. Zhvillimi i turizmit dhe aktivitetet në zonat bregdetare janë kërcënim për këtë specie”.

Ndryshimet klimatike janë një tjetër faktor që ndikon në jetën biologjike të fokave, por zbulimet e fundit në vendin tonë, duket se do të diktojnë hartimin e një plani të ri për ruajtjen e këtyre specieve të paktën në parkun detar Sazan-Karaburun. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos