
Më 22 nëntor, shqiptarët festojnë Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në kujtim të Kongresit të Manastirit, i cili u mbajt nga 14 deri më 22 nëntor 1908 dhe shënoi një nga momentet më të rëndësishme në historinë kombëtare.
Kongresi mblodhi në Manastir 50 delegatë nga 26 qytete dhe shoqata shqiptare, si dhe 18 vëzhgues, të cilët përfaqësonin intelektualë, klube patriotike dhe komunitete shqiptare nga treva të ndryshme.
Nën drejtimin e Mit’hat Frashërit, me Luigj Gurakuqin dhe Gjergj Qiriazin si nënkryetarë, delegatët diskutuan nevojën për një alfabet të përbashkët që do të bashkonte shqiptarët dhe do t’i hapte rrugën zhvillimit të arsimit dhe kulturës kombëtare.
Mes figurave të shquara që morën pjesë në Kongres ishin Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Sotir Peci, Parashqevi Qiriazi, e vetmja grua pjesëmarrëse, dhe Fehim Zavalani.
Pas diskutimeve, u vendos përdorimi i alfabetit latin, me përshtatje për tingujt e veçantë të gjuhës shqipe. Ky vendim i dha fund përçarjes së krijuar nga përdorimi i alfabeteve të ndryshme dhe hodhi themelet e një standardi të përbashkët shkrimi.
Kongresi i Manastirit u bë një pikë kthese për identitetin kombëtar, zhvillimin e letërsisë shqipe dhe përhapjen e arsimit. Njësimi i alfabetit ishte një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të vetëdijes kombëtare, që do të kulmonte katër vite më vonë me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Dita e Alfabetit u shpall festë zyrtare në Shqipëri në vitin 2023. Ajo përkujtohet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në diasporën shqiptare, si simbol i bashkimit përmes gjuhës.
Në Manastir, në shtëpinë ku u mbajt Kongresi, sot funksionon Muzeu i Alfabetit Shqiptar, ku ruhen dokumente, fotografi dhe dëshmi të kësaj ngjarjeje historike. (A2 Televizion)