
Aksidentet rrugore në Shqipëri po marrin jetë edhe mes shtetasve të huaj që jetojnë dhe punojnë në vendin tonë. Vetëm gjatë vitit 2026 janë regjistruar 8 aksidente me përfshirjen e tyre, ku 4 persona kanë humbur jetën dhe 19 të tjerë janë plagosur. Ngjarja e fundit në aksin Orikum–Llogara rikthen vëmendjen te bilanci tragjik i aksidenteve rrugore që kanë prekur edhe komunitetin e punëtorëve të huaj.
Punojnë në Shqipëri, por në rrugët e vendit po përballen edhe me rrezikun e aksidenteve tragjike. Përplasjet automobilistike kanë marrë jetë dhe kanë lënë dhjetëra të plagosur mes shtetasve të huaj që jetojnë e punojnë në vendin tonë.
Ngjarja më e fundit u regjistrua mëngjesin e kësaj të premteje, në Fushë-Dukat, në aksin Orikum–Llogara. Një përplasje mes një automjeti Ford dhe një Renault-i i mori jetën 62-vjeçarit Xhevair Xhelili, ndërsa mbetën të plagosur dy shtetas egjiptianë, 36 dhe rreth 40 vjeç, drejtuesi dhe pasagjeri i Renault-it.
Por pasojat fatale të aksidenteve nuk kanë munguar as në muajt e mëparshëm.
Më 1 tetor, në Larushk të Fushë-Krujës, një 23-vjeçar egjiptian humbi jetën, pasi automjeti Audi, në të cilin udhëtonte si pasagjer, u përfshi në një aksident me një Volkswagen.
Më 22 korrik, në rreth-rrotullimin e TEG-ut, një aksident i rëndë përfundoi me dy viktima egjiptianë. Betoniereja me të cilën udhëtonin u përplas me një Audi, çau barrierat mbrojtëse dhe ra nga mbikalimi. Dy punëtorët, 30 dhe 44 vjeç, humbën jetën.
Të dhënat e siguruara nga A2 CNN për vitin 2026 flasin për një bilanc shqetësues, 8 aksidente me përfshirjen e shtetasve të huaj, 4 persona të vdekur dhe 19 të plagosur.
Shifra që tregojnë se pasojat e aksidenteve rrugore nuk kursejnë as ata që kanë ardhur në Shqipëri për të punuar dhe për të ndërtuar jetën e tyre. (A2 Televizion)