73 kadetë akuzohen se kanë bërë me hile në provimin e Akademisë elitare ushtarake

Nga A2 CNN
22 Dhjetor 2020, 13:02 | Bota

Një prej akademive ushtarake më elitare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është përfshirë në skandalin më të madh që prej vitit 1976. 73 kadetë në “West Point”, 72 prej të cilëve në vitin e parë, akuzohen se kanë shkelur kodin e nderit duke bërë me hile në një provim të majit, të vitit të kaluar.

Në atë kohë, për shkak të pandemisë, provimi, si edhe orët mësimore, zhvilloheshin në mënyrë virtuale. Sipas një zëdhënësi të “West Point”, instruktorët gjetën parregullsi teksa po korrigjonin provimet.

55 studentë janë paralajmëruar për përjashtim në rast përsëritjeje, ndërsa 4 kanë dhënë dorëheqjen. Në vitin e parë, regjistrohen rregullisht 1200 studentë.

Akademia ushtarake gëzon një reputacion të jashtëzakonshëm sa i përket formimit të personelit. E themeluar në vitin 1802, në Nju-Jork, me historinë 218-vjeçare të saj, ka pasur edhe më parë skandale të tjera, më të mëdhatë në vitin 1951 dhe 1976; në këtë të fundit u përfshinë në atë kohë 152 kadetë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos