8 Dhjetori, 31 vjet nga lëvizja studentore që çoi në rrëzimin e diktaturës

Nga A2 CNN
8 Dhjetor 2021, 07:28 | Aktualitet
8 Dhjetori, 31 vjet nga lëvizja studentore që çoi në

Sot, më 8 dhjetor, shënohet 31-vjetori i ditës kur në Qytetin Studenti nisën protestat kundër regjimit komunist, që çuan më pas në vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri. 

Një ndër kërkesat e para të studentëve, ishte heqja e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës, por konteksti politik i kohës, rënia e murit të Berlinit dhe fundi i Luftës së Ftohtë, kërkonin ndryshime më të thella në Shqipëri.

Ishte data 8 Dhjetor e vitit 1990 kur jo vetëm studentë e pedagogë të Universiteteve të Tiranës, por dhe mijëra qytetarë, guxuan të shkelin mbi frikën e mbjellë nga regjimi dhe u bënë nismëtarë në një lëvizje që ndryshoi historinë e vendit, duke i dhënë fund një epoke të gjatë diktature.

Me thirrjen e njohur, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, të rinjtë studentë, kërkuan vendosjen e pluralizmit politik, mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe integrimin në Europë, duke hapur kështu një kapitull të ri në historinë e Shqipërisë.

Dita Kombëtare e Rinisë, u shpall e tillë nga Kuvendi i Shqipërisë, më 8 dhjetor të vitit 2009, për të kujtuar e nderuar lëvizjen e studentëve në dhjetorin e vitit 1990. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos