Në ditën ndërkombëtare të gruas, teatri “Aleksandër Moisiu” në Durrës ka gjetur një mënyrë ndryshe për ta përkujtuar këtë ditë, natyrisht jo duke festuar por duke kujtuar dhe sensibilizuar shoqërinë.
Shkallët e galerisë “Nikolet Vasia” ishin mbushur me këpucë të kuqe, që janë mbledhur jo vetëm nga gratë e qytetit, por edhe më gjerë.
Regjisorja Driada Dervishi, shprehet për simbolikën e vendosjes së këtyre këpucëve të kuqe. “Çdo këpucë e kuqe simbolizon gjakun e një gruaje, mungesën e saj dhe vjen si homazh për të gjitha gratë që kanë humbur jetën si pasojë e dhunës në familje, por jo vetëm”.
Ndërsa aktorja Adelina Muça u bëri apel të gjitha grave dhe vajzave të ngrenë zërin e tyre, të denoncojnë rastet e dhunës, sepse nuk do të jenë asnjëherë vetëm. “Për mua problemi është ngritja e zërit, thënia e të vërtetës. U bëj thirrje ta thonë atë çka u shqetëson”, tha ajo.
Këtë 8 Mars, nisma “Këpucët e kuqe” vjen për herë të parë në Durrës. Që prej vitit 2009, këpucët e kuqe të Elina Chauvet, artistes meksikane që humbi motrën si pasojë e dhunës në familje, kanë shëtitur botën. Prej më shumë se një dekade, “Këpucët e kuqe” vijnë si simbol i vrasjeve të grave nga dhuna. (A2 Televizion)