
Rusia tha se kishte arrestuar 8 persona për shpërthimin e ndodhur të dielën, një një urë që lidh vendin me gadishullin e aneksuar të Krimesë. Shërbimi i Sigurimit, FSB, bëri të ditur se 5 nga të ndaluarit ishin shtetas rus, ndërsa të tjerët ukrainas dhe armenë. FSB-ja pretendon se shërbimet sekrete të Ukrainës qëndrojnë pas sulmit ndaj urës.
Njoftimi vjen ndërsa shpërthime të reja u raportuan në qytetet ukrainase të Kherson, Zaporizhia dhe Nikopol. Në Kherson, një prej qyteteve më të mëdha nën pushtimin rus, u dëgjuan të paktën 5 shpërthime, ndërsa ka raportime të pakonfirmuara se sistemi i mbrojtjes ajrore në qytet është aktivizuar.
Në fjalën e tij për liderët e G7-s të mbledhur pasditen e së martës, Presidenti Volodymyr Zelensky bëri thirrje për më shumë sanksione kundër Rusisë, mes intensifikimit të sulmeve kundër civilëve.
“Rusia duhet të izolohet dhe të ndëshkohet plotësisht politikisht dhe me sanksione. Unë falënderoj miqtë europianë për paketën e 8 të sanksioneve, por ajo nuk është një ndëshkim për Rusinë. Moska e ka përshkallëzuar luftën dhe kësisoj nevojiten sanksione më të forta”, u shpreh Zelensky.
Grupi i vendeve të G7-s, ku përfshihet Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe SHBA, u zotua se do të vijojë të mbështesë financiarisht dhe ushtarakisht Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenber ripërtëriu gjithashtu angazhimin për të qenë krah Ukrainës deri në fund, paralajmëroi Rusinë se një sulm ndaj infrastrukturës kritike të aleancës do të nxiste një përgjigje të fortë e të vendosur.
“Ne do të ndërmarrim hapa të mëtejshëm për të fuqizuar mbrojtjen dhe për të mbrojtur infrastrukturën kritike. Çdo sulm i qëllimshëm kundër infrastrukturave të aleatëve do të marrë një përgjigje të vendosur dhe të bashkuar”, tha Stoltenberg.
Stoltenberg shtoi se aleatët po shtonin sigurinë rreth strukturave kyçe pas sulmeve ndaj tubacioneve të gazit në Detin Baltik. Ende nuk është e qartë kush qëndron pas shpërthimeve. Operatori polak Pern tha të mërkurën se kishte evidentuar një rrjedhje në një tubacion të sistemit Druzhda që e çon gazin nga Rusia në Europë. (A2 Televizion)