Ka qenë dy herë kryeministër, 97-vjeçari kthehet të kandidojë për deputet

Nga A2 CNN
12 Tetor 2022, 11:09 | Bota

Ish-udhëheqësi i Malajzisë, 97-vjeçari Mahathir Mohamad, do të garojë për të hyrë në Parlament në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të vendit. 

Mahathir, i cili në fillim të këtij viti u shtrua në spital për shkak të problemeve me zemrën, tha të martën se do të përfaqësojë Langkawin, një destinacion të njohur turistik të Malajzisë. Por, shtoi se aleanca ku bën pjesë, Gerakan Tanah Air (GTA), nuk ka vendosur ende nëse ai do të bëhet kryeministër apo jo, nëse fiton zgjedhjet e nëntorit.

“Për momentin, do të jem vetëm kandidat për deputet. Aleanca nuk ka vendosur nëse do të bëhem apo jo kryeministër. Nuk e kemi vendosur pasi përcaktimi i tij ka rëndësi vetëm nëse zgjedhjet fitohen”, tha Mohamad në një konferencë për shtyp.

Mahathir Mohamad ka qenë kryeministër i Malajzisë dy herë të tjera më parë. Mandati i parë i zgjati 22 vite, deri në vitin 2003. Më pas, u kthye në vitin 2018 sërish në këtë detyrë, kur ishte 92 vjeç. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos