A do ketë një përballje ligjore për PD, Kaso: Gati për çdo skenar. Flet dhe për mundësinë e një partie të re

Nga A2 CNN
21 Janar 2022, 22:43 | Politikë
A do ketë një përballje ligjore për PD, Kaso: Gati për

Përballja mes dy palëve se kush do të ketë legjitimitetin e Partisë Demokratike ishte një nga temat e diskutuara në Intervistën e Ivi Kasos me Merita Haklajn në A2 CNN.

Ndonëse një nga opsionet është përballja në gjykatë, Ivi Kaso u shpreh se Komisioni i Rithemelimit është i përgatitur për çdo skenar dhe shtoi se nëse Basha e bën këtë gjë thjesht kërkon të shtyjë verdiktin e demokratëve.

“Është e mundshme teorikisht. Është një ushtrim që bëhet për herë të parë për një forcë të madhe politike. Nuk e kisha besuar se me mendësinë e mbajtjes së vulës dhe selisë të vepronte dhe forca më e madhe e opozitës, partia që lindi si shpresë. Përballemi me këtë situatë. Kemi një anë që nuk e ka vënë kurrë në dyshim legjitimitetin e saj, siç është Partia Demokratike, e cila gëzon mbështetjen e të gjithë demokratëve dhe përfaqësohet përmes organit të zgjedhur masivisht nëpërmjet përkrahjes së delegatëve të PD dhe Komisionit të Rithemelimit, e cila duke mos pasur shqetësime për çështjen e legjitimitetit të saj nuk ka kontestuar në mënyrë gjyqësore palën tjetër. Pala tjetër mund ta bëjë. Jemi të përgatitur për çdo skenar, por ajo do tregonte dobësinë e një pale që me marifete do të shtyjë verdiktin e votës së demokratëve. Nëse ka një gjë nga e cila ka alergji pala e vulës është vota dhe kjo është e çuditshme”, tha Kaso.

Ivi Kaso gjithashtu mohoi mundësinë se mund të konsiderohet dhe alternativa e krijimit të një partie të re opozitare.

“Që të ndodhë kjo që thoni ju, do të duhet që të iknin të gjithë demokratët, pjesa më e madhe e të cilëve mbështet zgjidhjen legjitime brenda partisë që ofron Komisioni i Rithemelimit. Do të duhej të iknin të gjithë demokratët dhe partia t’i ngelej vetëm një fraksioni dhe demokratët më pas të formonin partinë e tyre në selinë e tyre. Gjë e cila as ka ndodhur dhe as ka për të ndodhur. Nuk mund të ikin demokratët për shkak të interesave të një personi apo një grushti personash”, përfundoi Kaso. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos